Celebrim në natyrë, në perëndim të diellit! Arbana dhe Eduart Grishaj dasmë luksoze në Itali. Detajet e festës

Celebrim në natyrë, në perëndim të diellit! Arbana dhe Eduart Grishaj dasmë luksoze në Itali. Detajet e festës

12:31, 23/04/2023
A+ Aa A-

Celebrim në natyrë, në perëndim të diellit! Arbana Osmani e Eduart Grishaj dasmë luksoze në Itali. Detajet e festës, nga të ftuarit tek këngëtarët

Arbana Osmani është në qendër të vëmendjes së publikut, dhe jo vetëm prej “Big Brother Vip”. Moderatorja e njohur është shndërruar në një ndër imazhet më të ndjekura edhe në rrjetet sociale, por edhe nga mediat.

E tashmë që angazhimit të saj po i vjen fundi, duket se lajme të mira vijnë prej saj. Ajo dhe partneri i saj, regjisori Eduart Grishaj, kanë vendosur të martohen. Duket se gjithçka është gati për ceremoninë e dasmës luksoze në Itali.

Dyshja ka zgjedhur si vendin e dasmës pikërisht Toskanën, një zonë që ata shpesh e frekuentojnë. E kur flasim për dy emra kaq të famshëm, natyrisht që lista e të ftuarve do të jetë shumë e përzgjedhur.

Celebrimi i tyre është menduar të bëhet në natyrë, në perëndimin e diellit, ku çifti do t’i thotë “po” njëri-tjetrit në praninë e qindra të ftuarve. Menyja do t’i besohet restorantit italian, çfarë do të sjellë me gjasa një meny vendase. Megjithatë, e gjithë skuadra për nusen do të vijë nga Shqipëria.

Fustani, aksesorët, grimieri dhe gjithçka tjetër do të udhëtojnë me Arbanën dhe Eduartin për të realizuar gjithçka deri në perfeksion. Nga ana tjetër, një sërë artistësh shqiptarë pritet të marrin pjesë në këtë festë, ku edhe do të sjellin një tjetër atmosferë.

Bruno dhe Klajdi do të jenë në skenë, por këtë herë do t’u bashkohet edhe Flor Mumajesi, i cili prej kohësh i ka munguar skenave. Për të celebruar dashurinë e dyshes, do të jetë edhe Ylli Limani, një nga artistët e preferuar të Arbanës. Dasma pritet të ketë disa nga emrat më të njohur të artit, skenës dhe kulturës të ftuar, por me gjasa nuk do të mungojnë as disa nga yjet e “Big Brother”-it

Si një person shumë diskret, kur vjen puna për jetën e saj private, vështirë se do të zgjedhë të ndajë detaje me ndjekësit e saj, duke lënë gjithçka surprizë deri në momentin e fundit. Në ato pak intervista që ka dhënë, Arbana ka folur për Eduartin si një mbështetje e fortë. Ajo ka treguar se nuk ka asgjë e cila nuk i pëlqen nga Eduart Grishaj, teksa ka konfirmuar se është e përfshirë e gjitha, “kokë e këmbë” e dashuruar me partnerin e saj.

“Është një njeri i rrallë, është fan tastik. Nuk ka asgjë që nuk më pëlqen tek Eduarti”, është shprehur ajo. Por ndryshe nga Arbana, Eduarti është treguar më i hapur me mediat, duke folur herë pas here për planet e tyre për dasmën. Pak kohë më parë, ai ka zbuluar detaje të reja rreth jetës personale, mes të cilave dhe dasma me Arbanën. Regjisori në atë kohë tregoi se nuk kanë caktuar ende një datë, ama e kanë të qartë vendin. “Dasmën nuk e di kur do ta bëjmë, por do ta bëjmë në Bogë. Arbana është pro gjërave të bukura dhe Boga futet te gjërat e bukura”, tha ai.

Por duket se planet e dyshes kanë ndryshuar dhe tashmë nga Boga, ceremonia do të zhvendoset në Itali, në një ndër vendet, ku dyshja është më e apasionuar dhe shumë shpesh i shikojmë të udhëtojnë drejt Italisë. Vitin e shkuar, dyshja bashkoi forcat edhe në filmin që regjisori realizoi.

“Sofia”, ishte produksioni që u shndërrua shpejt në një ndër filmat e preferuar të publikut, dhe një nga arsyet ishte edhe pjesëmarrja e Arbanës në këtë film. Por teksa për publikun ishte një moment shumë i veçantë i filmit, për Edi nuk paska qenë aspak e lehtë. Eduarti u pyet gjatë një interviste se si është të kesh producente bashkëshorten e tij.

Regjisori u përgjigj se të punosh me Arbanën është komoditet madje theksoi se në momentet që është i ngarkuar i përfshin edhe të tjerët tek punët e tij, duke ndarë detyrat dhe përgjegjësitë. Sa i takon rolit të saj si gazetare në film, Eduart Grishaj tha se, si të gjithë aktorët e tjerë të cilët kaluan audicionet, edhe Arbana, bashkëshortja e tij, bëri audicion.

“Kisha shumë nevojë për prezencën e saj në film që aktori Arbri shkon i kërkon një nder për të gjet një të afërm të Sofisë. Edhe nëse nuk do të ishte bashkëshortja ime, unë do ia kërkoja Arbanës që ta luante këtë rol sepse ishte si një urë që më lidhte mua ngjarjet. Por, Arbana kaloi dhe audicionin dhe ne ishim të suksesshëm bashkë. Pastaj kalon dhe tek ajo që thatë ju që mund të jetë një njeri që ka influencë dhe mund të sjellë njerëzit që ta shohin”, u shpreh Eduart Grishaj.

 

“Nuk ishte e lehtë fare për të punuar me Arbanën, sepse nga prezantimi në aktrim ajo mendoi se ishte e thjeshtë, por nuk është edhe aq. Është e vështirë të kesh Arbanën aktore, sepse bën shumë dubla”, është shprehur Eduarti.

Kujtojmë se çifti ka dy fëmijë së bashku, Diellin dhe Zoin, ndërkohë Arbana ka edhe një djalë nga martesa e parë, Jonin. Deri në qershor, kur edhe do të mbahet dasma, jemi të sigurt që do të mësojmë të tjera detaje nga kjo ceremoni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco