Lajmi i fundit

LIVE/ Berisha del nga selia e PD dhe i drejtohet Kryeministrisë

Detajet e rikthimit të Bora Zemanit me Donald Veshajn/ Festa që i nxori zbuluar dhe historia që duan të jetojnë të fshehur

Detajet e rikthimit të Bora Zemanit me Donald Veshajn/ Festa që i nxori zbuluar dhe historia që duan të jetojnë të fshehur

11:41, 22/05/2022
A+ Aa A-

Bora Zemani dhe Donald Veshaj janë rikthyer së bashku. Ajo që prej kohësh përflitej nëpër media, konfirmohet tashmë me pamjet e tyre së bashku. Do të duhej sfilata e Valdrin Sahitit në Prishtinë, për të kapur mat çiftin më të përfolur të momentit.

Ndonëse nuk kanë mbërritur bashkë, moderatorja dhe aktori i humorit e kanë shijuar së bashku festën e organizuar pas shfaqjes, duke u filmuar të dy pranë, pas rikuperimit të marrëdhënies së tyre. Në rrjetet sociale janë publikuar foto e video të dyshes, e cila duket se me daljen e parë publike bashkë, ka konfirmuar ribashkimin.

Vetë ata nuk kanë bërë asnjë postim së bashku. Moderatorja Dalina Buzi ka deklaruar se dyshja është gjendur rastësisht në të njëjtën tavolinë. Në “Goca dhe Gra”, ajo tha se të gjitha figurat e “Top Channel” ishin në një tavolinë dhe mes tyre edhe Bora me Donaldin.

“Ishim të ndarë në tavolina. Një tavolinë ishte tavolina e ‘Top Channel’. Ishte Sara, Lori, Bora, qëlloi dhe Donaldi me Romeon. Unë si e pranishme atje pashë dy njerëz të edukuar që flasin. Se çfarë ka ndodhur më parë ose pas festës nuk e di”, u shpreh Dalina.

Nga burimet tona kemi mundur të mësojmë se dy të rinjtë janë pajtuar dhe janë përpjekur ta mbajnë këtë herë lidhjen e tyre sa më sekrete që të munden. Prej disa javësh, Bora dhe Donaldi kanë lënë gjithçka pas dhe e kanë rinisur raportin e tyre gati 4-vjeçar. Duke mos preferuar që të shndërrohen në kryefjalën e mediave, këtë herë çifti ka preferuar ta ruajë privatësinë deri në maksimum.

Ndonëse të dy punojnë në “Top Media”, njerëz pranë tyre shprehen se Bora dhe Donaldi nuk takohen kurrë në ambientet e punës, duke preferuar që të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit.

Ndërkohë që në Tiranë e kanë blinduar lidhjen e tyre, në Prishtinë ia kanë lejuar vetes që të qëndrojnë së bashku. Madje nga të pranishmit në festë, na kanë thënë se Bora dhe Donaldi janë larguar së bashku nga festa, teksa Romeo ka vijuar të qëndrojë edhe për pak, pas largimit të çiftit. Paraqitja e tyre krah njëri-tjetrin vjen rreth 3 muaj pas daljes së aktorit nga “Big Brother VIP”.

Me përfundimin e formatit, ai i dha fund menjëherë lidhjes me Beatrix Ramosajn, teksa i ka kërkuar falje Borës publikisht dhe personalisht. Aktori në reagimin e tij të parë për jetën personale në rrjetet sociale, la të kuptohej se ai po tentonte të rikthehej me prezantuesen, ndërsa ka mbyllur gjërat me Beatrix-in.

“Jam i lumtur për eksperiencën, por i penduar për humbjen time aty, një humbje që po mundohem ta rifitoj që në momentin që dola e këtu nuk po flas për çmimin e madh. Kam kërkuar falje aty ku duhet dhe ku meriton dhe kam mbyllur portat që nuk duhet t’i kisha hapur kurrë. Me ndihmën e kohës dhe të diellit, uroj që të shkrihet. Deri atëherë do të bëj më të mirën që artin tim ta shpreh në format që unë di dhe dashamirësinë që kam marrë gjithë kësaj kohe ta kem mundësinë t’jua kthej”, shprehej aktori.

Nga ana tjetër, në një reagim të parë për gjithë lajmet e raportuara, Bora mohonte se ajo dhe Donaldi janë ftuar në emisionet e njëri-tjetrit, se po sjellin një këngë apo se videot funny në “TikTok” i dedikohen atij.

“Jo, nuk ka duet së shpejti. Nuk ka klip të xhiruar jashtë. Nuk ka pushime bashkë. Nuk ka kafe në ambientet e ‘Top’-it. Nuk ka varëse në qafë. Nuk ka ftesë në emisionin e parë. Nuk ka ftesë në ‘Prime’. Nuk ka marrëdhënie familjare, raporte pune me vëllain tim, nuk ka video funny në ‘TikTok’ për kundërpërgjigje etj., etj… Është kaluar çdo limit duke nxjerrë shtëpinë time nëpër portale! Është shumë personale!”, shkruante Bora mes të tjerash.

Por duket se ribashkimi i çiftit ka sjellë edhe reagime të ashpra, duke i quajtur ata falsë. Një ndër ta ka qenë edhe Atdheu, që shpesh herë është përfolur në media për një flirt me moderatoren. Së fundmi ai duket se ka thumbuar moderatoren Bora Zemani në lidhje me ribashkimin me ish-të dashurin e saj, Donald Veshajn. Ish-konkurrenti, i cili është përfolur gjatë në rrjet për raportin e tij me moderatoren, publikoi në “Instastory” disa foto, në të cilat edhe pse nuk përmend emra, nga ndjekësit është interpretuar si një ironi ndaj ribashkimit të ish-çiftit.

Fillimisht ai ka publikuar një fotoemoji të tokës, i cili zakonisht përdoret për të përcjellë mesazhin se “bota është e rrumbullakët”, ndërsa më tej, krahas disa fotove të tij, ai shkruan: “Dikur nga fundi më tha njeri i vogël. Por para dashurisë, jemi të vegjël të gjithë”, shoqëruar me disa emoji duke qeshur.

Ish-konkurrenti i “Për’puthen” është përfolur shpesh për një lidhje me Bora Zemanin, ndërsa nuk kanë munguar statuset me nënkuptime nga ana e tij. Në rrjet herë pas here qarkullonin foto të dyshes që nxisnin dyshime se mund të jenë bashkë, por edhe vetë ish-konkurrenti i “Për’Puthen” shpesh postonte foto në “Instagram”-in e tij që nga publiku lexoheshin si kunja drejt Borës.

Megjithatë, ai nuk ka folur me emra konkretë, duke lënë të hapura dyshimet. Edhe një tjetër ish-konkurrent i Përputhen ka folur për historinë e çiftit, duke lënë të kuptohej se tashmë dyshja ishte rikthyer së bashku. Astriti shprehu se moderatorja nuk ka qenë në gjendje të mirë pas situatave të ndodhura me Donald Veshajn, duke e përshkruar atë si “nervoze, të stresuar dhe jo të lumtur”.

Por sipas tij, gjithçka ndryshoi me rikthimin e Donaldit, ku ish-konkurrenti shprehet se moderatorja “gjeti përsëri shkëlqimin”.

“Bora, si duket, e ka gjetur shkëlqimin këto kohët e fundit. Duke parë këto videot e fundit… po më pëlqen Bora. Ishte pak në siklet aty në studio, por tani po e shohim më të lumtur me rikthimin e Donaldit. E kemi ndierë edhe ne në program patjetër, sepse ne ishim çdo ditë aty. Kemi kuptuar që Bora më përpara ishte nervoze, kishte stres, nuk ishte e lumtur siç ka qenë. Por tani i shkëlqejnë sytë, kohët e fundit Bora ka nisur të ngjallet. Dhe po më pëlqen që është bashkë me…. Tani unë s’e di a është… besoj që është bashkë me Donaldin. I është rikthyer shkëlqimi, unë jam një fans i Donaldit. Shpresoj të jenë bashkë, për mua janë çifti më i përkryer”, është shprehur ai teksa ishte i ftuar në “Shqipëria Live.”

Por teksa ky ribashkim duket si mjaft diskret, nuk kanë munguar edhe reagimet nga persona të afërt me Beatrix. Teksa të gjithë pyetën veten se çfarë po bënte Beatrix Ramosaj kur rrjeti po ziente për Bora Zemanin dhe Donald Veshajn që u shfaqën krah për krah, përgjigja ishte: Po hante darkë me Antonela Berishën. Në rrjetet sociale, këngëtarja është shfaqur në superformë, teksa ka treguar se ka qenë duke darkuar me ish-konkurrenten e “Big Brother VIP”.

Kjo e fundit ishte e ftuar në “Goca dhe Gra” dhe pranoi se ishin bashkë kur këngëtarja e pa lajmin në median online. Mirëpo, nuk tregoi se si e përjetoi ajo. “Ishim për darkë dhe u kthyen njerëzit duke na parë në një moment. Po mendonim se çfarë ndodhi. Pastaj pamë portalet dhe nuk ndodhi asgjë. Vazhduam darkën. Mirë është Beatrix.

“Është super, po merret me disa projekte të reja. Të isha unë si ajo, do bëja ndonjë udhëtim në Kosovë, jo tek ata. Trixa është superfemër dhe e kërkuar. Ndonjëherë ne femrat u japim rëndësi atyre që nuk duhen”, tregoi Antonela.

Tashmë sytë e gjithë publikut janë te ky çift, për t’i parë sërish së bashku si një ndër dyshet më të dashura nga ndjekësit. E teksa prezantuesja dhe aktori do të vendosin të flasin publikisht për këtë ribashkim, ne do të vijojmë të sjellim copëza nga ky raport, që pas shumë ulje-ngritjesh, duket se ka gjetur sërish rrugën e përbashkët./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco