Shuhet kompozitori i njohur shqiptar, ’Nderi i Kombit’

Shuhet kompozitori i njohur shqiptar, ’Nderi i Kombit’

14:04, 05/06/2020

Artisti i talentuar Përparim Tomçini është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm.

Tomçini është i njohur për krijimtarinë e tij të suksesshme muzikore dhe për autorësinë e mbi 400 kompozimeve e përpunimeve të këngëve e melodive.

Artisti ka lindur në vitin 1955, në Peshkopi.

Ka mbaruar Akademinë e Arteve, Dega Kompozicion me rezultate të shkëlqyera (1975-1979).

Që nga vitit 1979 e në vazhdim, ishte përgjegjës i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës (Qendrën Kulturore) “Haki Stërmilli” në Peshkopi dhe pastaj në bashkinë e Kamzës.

Krijimtarinë muzikore e ka filluar që kur ishte student.
Në vitin 1979, në konkursin me krijimtarinë e studentëve të Akademisë së Arteve, fitoi çmimin e parë me rapsodinë vokale për Isa Buletinin, me të cilën mori çmimin e dytë edhe në Koncertet e Majit të atij viti, ndërsa në vitin 1984, fitoi Çmimin e Parë në konkursin kombëtar të krijimtarisë artistike për gjinitë e mëdha me rapsodinë vokale “Rrënjët në gjak i ka liria”.

Në vitin 1989, në konkursin e krijimtarisë artistike, mori Çmim të Dytë me një poemë simfonike. Është autor i përpunimeve muzikore në mënyrë mjeshtërore të “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “”Po vjen zogu për rreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën” etj., këngë të cilat janë interpretuar me nivel të lartë artistik nga Liri Rasha, Saje Poleshi, Qerim Sula, Arif Vladi etj.

Ka një krijimtari shumë të suksesshme muzikore dhe është autor i mbi 400 kompozimeve dhe përpunimeve të këngëve e melodive.

Për shumë vite ka qenë udhëheqës artistik i ansambleve të Dibrës në dy festivale folklorike të Gjirokastrës, në turnet e vitit 1992 e 1995, në Turqi, në Festivalin e Klasës Punëtore në Durrës në vitin 1984 e në Tiranë më 1989, në Festivalin Folklorik të Beratit më 1995.

Ka drejtuar tri ansamble artistike dhe një ansambël folklorik në Dibër të Madhe me Shoqërinë Kulturore Artistike “Haki Stërmilli”, dy ansamble artistike në Strugë me SHKA “Shpresa e Veleshtës”, një ansambël artistik në Tetovë të SHKA “Xheladin Zeqiri”.

Ka realizuar 6-7 premiera ansamblesh në Televizionin Shqiptar me ansamblin “Dibra” e dhjetëra festivale të këngës dibrane.

Është ndër organizatorët kryesorë dhe udhëheqës artistik i të gjithë festivaleve të “Odës Dibrane”, në periudhën 1994-2005, në qytetin e Peshkopisë, veprimtari kjo që ka marrë pamjen e përmasat e veprimtarive të mëdha kulturore kombëtare.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka dekoruar kompozitorin me titullin “Nderi i Kombit”

Nga Bashkia e Dibrës (Peshkopi) është shpallur “Nderi i Kulturës Dibrane”, ndërsa nga presindenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi është dekoruar me motivacionin: ”Për kontribut të madh për lirinë, për kontributin e madh në muzikë dhe art barazinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këngët e tij kanë qenë frymëzim dhe motivim për shumë gjenerata, që u angazhuan për liri, barazi dhe pavarësi”.”

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco