VIP-at në hall për 'bukën e gojës', mos na i prekni dasmat

VIP-at në hall për 'bukën e gojës', mos na i prekni dasmat

21:27, 07/05/2020
A+ Aa A-

Me të arritur stina e verës, ajo se çka marrim më së shumti janë ftesat për dasma dhe ahengjet tjera.

Shumë qytetarë në Kosovë, por, edhe bashkatdhetarë që vijnë për pushime, muajt e verës i shfrytëzojnë edhe për t’u martuar.

Mirëpo, vera e këtij viti pritet të jetë shumë më ndryshe.

Arritja e pandemisë COVID19 në Kosovë, ka bërë që shumë biznese të mbyllen dhe të ndalohen tubimet, ndër to edhe dasmat.

Deklarata që bëri Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha që ahengjet familjare të shtyhen deri në vitin tjetër, e shqetësoi këngëtarin Labinot Tahiri.

Labi, me një gjuhë të ashpër reagoi duke thënë se nëse ndalohen dasmat ai do protestojë, pasi jetesën e ka prej tyre.

Më pas, në mënyrë publike, Labit i doli kundër Leonora Jakupi, që tha se me më rëndësi është shëndeti i qytetarëve, e kjo përplasje mes këngëtarëve u bë e madhe.

Po ashtu, pas deklaratave të Labit, reaguan edhe shumë këngëtarë, të cilët po e mbështesin idenë e tij që nëse hapen stadiumet e kafiteritë, të hapen edhe sallat e dasmave.

Syri.net Kosova në mënyrë të përmbledhur ka sjell disa mendime nga këngëtarët dhe menaxherët e tyre më të kërkuar për dasma, se a duhet apo nuk duhet që të mbahen ahengjet familjare për këtë vit.

Menaxheri Emrush Thaçi, i cili njihet për menaxhimin dhe lidhjet me këngëtarët Sinan Vllasaliun, Vjollca Haxhiun, Medën e Shkelzen Jetishin, për Syri.net Kosova ka komentuar këtë vendim të ministrit Vitia.

“Nëse e shikojmë në këndin individual, nuk është se mund të dëmtohen këngëtarët që janë më emër, pasi ata kanë një buxhet që me të mund ta shtyejnë edhe një apo dy vite tjera. Por, ata që do të dëmtohen janë pjesa tjetër zinxhirore në dasma.

Duke nisur nga ata që në treg shesin pemë e perime, apo mish, pastaj dëmtohen edhe kuzhinirët, kamarierët, orkestrat muzikore, produksionet xhiruese dhe gjithë ata që merren me organizimet e dasmave.

Mirëpo, nëse Coronavirusi përhapet apo nëse ka ndonjë rrezik eventual, edhe artistët që unë menaxhojë padyshim që do jenë kundër mbajtjes  së dasmave, pasi, jeta e qytetarëve është shumë më më rëndësi”. tha ai.

Pro mbajtjes së dasmave nëpër salla është edhe Dafina Dauti.

Ajo tha se një gjë e tillë duhet lejuar, sidomos që këto ahengje bëhen verës dhe se temperaturat e larta janë vrasëse të këtij virusi.

Mendoj që duhet me u hap, sepse, virusi po shkon duke u larguar, këtë po e dëshmojnë edhe rastet në Kosovë, ku më shumë po ka të shëruar se sa të infektuar” shtoi ajo.

Ylber Osmani është një tjetër emër i cili për Syri.net Kosova tha se pajtohet plotësisht me fjalët e Labinot Tahirit, pasi edhe sipas tij, kjo është formë e jetesës për shumë emra të skenës.

Arlinda Dragaj është një nga këngëtaret me të kërkuara për dasma. Duke qenë e tillë, anulimi i dasmave mund ta prekte edhe xhepin e saj.

Mirëpo, Arlinda, tha se për të, me më rëndësi është jeta e qytetarëve.

“Normal që kam dëshirë më pas dasma, por, nëse kjo paraqet rrezik për qytetarët, unë nuk jam pro protestave, pasi, edhe ashtu kur ekziston rreziku i madh për infektim, njerëzit nuk vijnë për të festuar me familjarët e tyre” theksoi Dragaj.

Shumë këngëtarë, kanë reaguar edhe përmes rrjeteve sociale.

Buraku dhe Grupi Fama kanë dal me një status të gjatë, ku ndër tjera u përmend edhe bizneset që dëmtohen, siç janë produksionet xhiruese, sallat e dasmave e argjendaritë dhe se janë për mosanulim të këtyre ahengjeve.

Të njëjtin mendim e ka edhe Alban Mehmeti.

“Labinot Tahiri shumë mirë e ka, nëse dikush punon duhet të punojmë edhe ne. Vetëm në vitin 2018 nga 10 miliardë qarkullim 10 % janë në muajin korrik, gusht”, ka thënë ai përmes një postimi të bërë në rrjetet sociale.

Pas gjithë kësaj zhurme që u bë jo vetëm nga këngëtarët, por, edhe nga fushat tjera që preken direkt nga ky vendim, pritet të shihet nëse vendimi do të rishqyrohet, apo do ndryshohet dhe këto ahengje ta marrin dritën e gjelbër për këtë verë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco