Ari thyen rekordin historik/ Pse po shkëlqen kaq shumë metali më i vjetër i çmuar?

Ari thyen rekordin historik/ Pse po shkëlqen kaq shumë metali më i vjetër i çmuar?

11:29, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Thomas Rosin, BILD

Natën duke u gdhirë e hëna mbërriti edhe momenti: Çmimi i arit u rrit për herë të parë në historinë e tij mbi 5000 dollarë. Vetëm një vit më parë, çmimi ishte 2758 dollarë. Një rritje prej 81 përqind! Ari ka magjepsur njerëzimin për mijëvjeçarë. Por pse po shkëlqen kaq shumë pikërisht sot?

Një artikull historik i BILD mbi fenomenin 5000-dollarësh.

Ari nuk e filloi historinë e tij në kasaforta, por sipas legjendave të lashta, ndoshta në brigjet e Nilit.

Kur njerëzit e parë përballeshin me këtë metal të verdhë shkëlqyes mbi 6000 vjet më parë, ishte menjëherë e qartë: Ky nuk është një zbulim i zakonshëm. Ari nuk ndryshket, nuk shkatërrohet, nuk humb shkëlqimin. Qysh herët u bë simbol i pushtetit, besimit dhe pasurisë. Sundimtarët e mbanin mbi trup, priftërinjtë e lartësonin në diçka hyjnore. Një dëshmi e famshme e asaj kohe të hershme është Pllaka e Qiellit të Nebrës rreth vitit 1600 p.e.s., që tregon se sa i rëndësishëm ishte ari edhe atëherë.

Ari si simbol pushteti dhe hyjnie

Në Egjiptin e lashtë, ari ishte i pandashëm nga perënditë. Faraonët varroseshin me dhurata të çmuara prej ari për të treguar afërsinë e tyre me hyjninë. Edhe larg Nilit, tek Inkasit dhe Actekët në Amerikë ose në kulturat e hershme kineze, ari përfaqësonte të shenjtën, rendin dhe pushtetin. Nuk ishte një material i përditshëm, por një simbol që rrezatonte respekt.

Një kthesë për arin ndodhi në shekullin e shtatë para Krishtit. Lidianët (një popull në Azinë e Vogël) filluan të prodhonin monedha prej ari. Kështu ari u bë për herë të parë një mjet konkret pagesash. Që atëherë ai udhëtoi përmes perandorive dhe shekujve, u ruajt, u tregtua dhe u adhurua. Vlera e tij kuptohej kudo, pavarësisht gjuhës apo kulturës. Pikërisht kjo e bëri kaq të fuqishëm.

Në shekullin XIX, shumë shtete lidhën monedhat e tyre ngushtësisht me rezervat e arit. Ky standard ari duhej të siguronte stabilitet dhe besim. Por luftërat dhe krizat e tronditën sistemin. Pas Luftës së Dytë Botërore, u krijua me Bretton Woods (një sistem i ri ndërkombëtar i valutave me këmbim të fiksuar) një rend i ri. Dollari u bë valuta udhëheqëse dhe ishte i lidhur me arin, ndërsa valutat e tjera e ndoqën dollarin. Ky sistem zgjati vetëm disa dekada.

Fundi i standardit të arit

Në vitet 1960, sistemi u vu nën presion. SHBA-të shpenzonin gjithnjë e më shumë para, ndërsa rezervat e arit po zvogëloheshin. Në vitin 1971, presidenti Richard Nixon ndërpreu lidhjen e fiksuar të dollarit me arin. Kështu, metali humbi rolin e tij zyrtar në sistemin monetar botëror.

Por ari nuk u harrua kurrë. Bankat qendrore e mbajnë deri sot si rezervë, investitorët kërkojnë mbrojtje nga inflacioni dhe krizat. Kohët e fundit, ari ka gjetur konkurrencë nga bota digjitale. Kriptovalutat si Bitcoin janë vlerësuar nga mbështetësit si përfaqësuesi modern. Kritikët, megjithatë, druhen nga luhatjet e forta dhe preferojnë metale me histori mijëvjeçare.

Ari mbetet kështu ai që ka qenë gjithmonë: një matës i heshtur i vlerës, besimit dhe qëndrueshmërisë.

Por si do të vazhdojë tani?

Pikërisht gjysmë viti më parë, analistët e bankës së madhe HSBC shkruanin: “Shumica e rritjes së çmimit tashmë ka kaluar”. Atëherë çmimi i artit ishte 3338 dollarë. Katër muaj më parë, Deutsche Bank parashikoi: “Çmimi i artit mund të arrijë 4000 dollarë”. Atëherë vlera ishte 3707 dollarë. Dhe sot? Disa analistë parashikojnë 1800 dollarë si çmim realist; të tjerë shohin 10.000 dollarë në horizontin e kësaj dekade.

Ky është aspekti i bukur i aksioneve, valutave dhe metaleve të çmuara: Askush nuk di gjë me siguri absolute…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco