VIDEO-SYRI TV/ Shqiptarët nuk arrijnë dot të kursejnë asnjë lek, 40% e popullit kapacitete të ulëta kursimi

18:06, 02/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të ulët të popullsisë në Europë që arrin të kursejë. Paraja informale, inflacioni dhe mungesa e një balance mes pagave dhe çmimeve të produkteve e shërbimeve e bën të pamundur që qytetarët shqiptarë të arrijnë të kursejnë.

Nga SYRI TV

Vetëm 14. 8% e shqiptarëve mbi 15 vjeç kishin mundur të kursejnë nga të ardhurat e tyre në një bankë, niveli më i ulët në Europë pas Moldavisë, sipas bazës së të dhënave globale Findex nga Banka Botërore që i takojnë një anketë të zhvilluar në vitin 2024 në vendin tonë.

Shqipëria ka nivel shumë të ulët të popullsisë që arrin të kursejë si në raport më Rajonin edhe me Europën, teksa pozicionohet me shumicën e vendeve të Afrikës dhe Azisë së Jugut.

Edhe pse ka një përmirësim të dukshëm të ndërgjegjësimit financiar vendi ynë vazhdon të ketë një nivel të lartë përdorimi të parasë kesh dhe një prani të konsiderueshme të sektorit informal.

40% e popullsisë në nivelin e poshtëm te të ardhurave kanë kapacitete më të ulëta për të kursyer pasi vetëm 4.3 % arritën të ndanin kursime në bankë. Në 60% të grupit me të ardhura më të larta aftësia për të kursyer ishte 21.7%. Në grup-moshat e reja aftësia për të kursyer është shumë e ulët citon Monitor.

Për shumicën e qytetarëve të ardhurat shpesh nuk mjaftojnë për ushqim, qira, energji dhe nevojat e përditshme, kështu që pothuajse nuk mbetet asgjë për kursime.

Shqipëria  kishte çmime më të larta se Rajoni dhe BE për ushqimet në 2024, por ndërkohë pagat janë shumë më të ulëta se në këto vende.

Ndërkaq, inflacioni i viteve të fundit ka ulur fuqinë blerëse dhe ka bërë që edhe ata që më parë arrinin të kursenin, tani ta kenë më të vështirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco