Lajmi i fundit

Mijëra shqiptarë të diasporës mbërrijnë në atdhe për protestën e sotme kombëtare

SYRI TV/ Euro arrin minimum të ri historik, shkak kthimi i emigrantëve dhe paratë e pista

12:57, 25/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Euro bie në minimum historik ndaj lekut, duke u këmbyer me 96.46 lekë. Rënia lidhet me ofertën e lartë të euros nga faktorë sezonalë, flukset e emigrantëve, si dhe me tendencën disa-vjeçare të dobësimit të ndikuar nga pastrimi i parave të drogës dhe korrupsionit. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë frenuar rënie edhe më të fortë, por euro mbetet në nivele dukshëm më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme

Syri tv:

 Euro humbet sërish pikë ndaj lekut, duke shfaqur sërish tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye këtë të enjte me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit ka sjellë flukse më të larta të monedhës evropiane.

Megjithatë gjatë 5 viteve të fundit, kursi i Euros ka patur rënie të vazhdueshme dhe sipas eksperteve një nder arsyet kryesore është pastrimi i fluksit të parave të drogës dhe korrupsionit, sidomos në sektorin imobiliar.

Ajo çka vihet re është fakti se Euro ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%. Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut. Në mungesë të ndërhyrjeve të bankës së Shqipërisë kursi i këmbimit të monedhës evropiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Megjithatë, ky institucion argumenton se synimi i ndërhyrjeve të saj nuk është mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ndërhyrje nuk cenon regjimin valutor të kursit të lirë të aplikuar në Shqipëri.

Një ndikim shtesë në forcimin e Lekut edhe këtë vit ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë shqiptare, karakterizuar nga një suficit i gjerë buxhetor. Për 10-mujorin 2025, ky suficit arriti vlerën e pothuajse 49 miliardë lekëve. Siç ka ndodhur rregullisht në vitet e fundit, pritet që deficiti buxhetor të shpenzohet i gjithi në ditët e fundit të dhjetorit. Gjithsesi, pavarësisht pritshmërive që një lëvizje e tillë të mund të sjellë një ringritje të kursit të Euros, ajo pritet të jetë e përkohshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco