Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi një tjetër paralajmërim kundër Paqes Fiskale të Edi Ramës, pas kritikave të shumta nga organizatat e biznesit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se marrëveshja e quajtur “Paqja Fiskale” mund të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore, duke rrezikuar qëndrueshmërinë fiskale në mes të sfidave demografike dhe shpenzimeve publike në rritje.
“Marrëveshja ‘Paqja Fiskale’, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore”, thuhet në deklaratën e bordit të FMN-së.
Sa i përket sektorit financiar, FMN nënvizon nevojën për monitorim të kujdesshëm të rreziqeve që lidhen me kreditimin në pasuri të paluajtshme, ekspozimet ndaj valutës së huaj dhe borxhin sovran, si dhe forcimin e kuadrit prudencial dhe të mbikëqyrjes bankare.
Në planin afatmesëm, FMN thekson se arritja e konvergjencës së të ardhurave me Bashkimin Evropian kërkon reforma të thella strukturore, veçanërisht në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e tregut të punës, forcimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fushën e politikës monetare, FMN vlerëson se qëndrimi aktual i Bankës së Shqipërisë është i përshtatshëm, por thekson se banka qendrore duhet të jetë e gatshme të reagojë shpejt ndaj zhvillimeve të tregut, veçanërisht nëse efektet dytësore nga rritja e pagave rezultojnë më të forta se sa pritej. FMN rekomandon gjithashtu fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit dhe mbështetje më të madhe te normat e interesit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
© SYRI.net