Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Tri opsionet e BQK-së për të dalë nga ngërçi me dinarin

Tri opsionet e BQK-së për të dalë nga ngërçi me dinarin

15:59, 16/03/2024
A+ Aa A-

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ia ka dërguar Bankës Popullore të Serbisë (BNS) tri opsione se si mund të kryhen transferet e pagesave për qytetarët serbë në Kosovë.

Burime brenda BQK-së kanë thënë se nuk kanë marrë përgjigje. Ndërsa, opsionet i janë dërguar edhe Bashkimit Evropian.

BQK-ja ka propozuar si opsion të parë që BNS-ja t’i dërgojë si transfer mjetet në euro te BQK-ja direkt, e BQK-ja t’i shpërndajë nëpër llogari bankare të përfituesve në euro.

Opsioni i dytë thotë që BNS-ja t’i dërgojë si transfer mjetet në euro te një bankë ndërkombëtare ku BQK-ja ka llogari, për shembull “Deutsche Bundesbank”, e më pas BQK-ja i shpërndan nëpër llogari bankare të përfituesve në euro.

Dhe opsioni i tretë kalon në nivel të bankave komerciale. Sipas tij, njëra nga bankat komerciale që operon në Kosovë dhe Serbi zgjedhet si opsion. Kështu, Serbia i dërgon si transfer ndërkombëtar mjetet në euro në një bankë komerciale të Kosovës dhe më pas banka e zgjedhur i shpërndan ato nëpër llogaritë e përfituesve në Kosovë në euro.

Të premten, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se propozimet e tij për çështjen e dinarit janë refuzuar nga kryeministri Albin Kurti. Escobar qëndroi të mërkurën dhe të enjten në Kosovë.

Të martën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, ku është paralajmëruar diskutimi edhe për dinarin. 

Rregullorja e re e BQK-së, që ka hyrë në fuqi nga shkurti, ndalon përdorimin e dinarit. Kjo ka nxitur reagime të shumta të ndërkombëtarëve, të cilët kanë thënë se kjo e prek më së shumti komunitetin serb që merr pagesa në dinarë nga shteti i Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco