Heqja e dinarit/ BE-ja, e shqetësuar për pasojat e vendimit të BQK-së

Heqja e dinarit/ BE-ja, e shqetësuar për pasojat e vendimit të BQK-së

09:32, 01/02/2024
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

Sipas BE-së, për këtë vendim, që hyn në fuqi më 1 shkurt, nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian më 1 shkurt.

BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga blloku.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja.

Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe BE-në, i kishte bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco