Malaj: Duhet financim prioritar në kapital njerëzor, kujdes nga Inteligjenca Artificiale, jo imponim për e-Albania

Malaj: Duhet financim prioritar në kapital njerëzor, kujdes nga Inteligjenca Artificiale, jo imponim për e-Albania

07:38, 20/01/2024
A+ Aa A-

Intervistë me Arben Malaj, ish-ministër i Financave,  i cili tani drejton Institutin për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë, marrë nga revista Monitor.

Në këto kohë kur rreziqet në ekonomi po rriten nga konfliktet, ndryshimet klimatike dhe çmimet e larta, qeveria duhet të fokusohet në një shpërndarje më të drejtë të rritjes ekonomike, ku përfitues duhet të jenë shtresat e varfra, tha në një intervistë për “Monitor”, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i cili tani drejton Institutin për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë.

Zoti Malaj thotë se, reformat strukturore duhet të rrisin vëmendjen ndaj kapitalit njerëzor, si në arsim, shëndetësi, ekonominë e dijes dhe ekonominë e gjelbër.

Një investim infrastrukturor mund të bëhet edhe më vonë. Ndërsa një brez i paarsimuar, i patrajnuar me probleme shëndetësore po rritet – është një kosto e madhe individuale, familjare, por edhe për taksapaguesit. Sipas studimeve, cilësia e kapitalit njerëzor ndikon në rreth 50% të zhvillimeve në PPB, theksoi z. Malaj.

Në vlerësimin tuaj, si ka qenë ecuria ekonomike e vendit në vitin 2023, edhe në drejtim të shpërndarjes së drejtë të rritjes?

Një rritje ekonomike është e dobishme kur arrin tre objektiva: (a) një rritje të lartë ekonomike (b) një rritje ekonomike të qëndrueshme përballë goditjeve kryesisht të jashtme. Këtu marrim parasysh edhe rreziqet mjedisore apo fatkeqësitë natyrore dhe (c) një rritje ekonomike të drejtë.

Nga kjo tendencë duhet të përfitojmë shtresat në nevojë që preken më shpejt dhe më rëndë nga rritja ekonomike e shoqëruar me një përshpejtim në inflacionin mesatar dhe të shtrenjtimit të lartë të inflacionit të ushqimeve. Shtresat e varfra, pensionistët, të papunët, të paaftët, deri edhe një pjesë e klasës së mesme që duhet të jetë motori i rritjes ekonomike janë prekur ndjeshëm.

Në vitin 2023, rritja e drejtë, rezulton të ketë vazhduar të jetë e padrejtë. Sistemi i mbrojtjes sociale, kohezionit dhe solidaritetit social rezulton i dobët. Kjo vërtetohet edhe nga ritmet e rritura të braktisjes së vendit. Një tjetër element është dinamika joproporcionale e realizimit të investimeve publike, një pjesë e madhe e të cilave realizohen kryesisht në dy muajt e fundit të vitit.

Gjatë vitit 2023 u vu re një ristrukturim i ekonomisë nga tkurrja e prodhimit drejt tregtisë, si pasojë e forcimit të Lekut. A është ky një hap pozitiv dhe një premisë për një model të ri rritjeje?

Një rritje ekonomike që konsideron largimin nga sektorët prodhues nuk mund të jetë një model i ri, pra një përmirësim strukturor i ekonomisë sonë. Në procesin e përmirësimit strukturor, vendet janë të orientuara drejt rritjes së prodhimit, bazuar në strategjitë e industrializimit të tyre.

Kjo do të jetë një sfidë e ardhshme edhe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt afrimit me BE-në. Sektorët duhet të harmonizohen. Nëse ka sektorë që mund të përmirësojnë strukturën e ekonomisë së vendit tonë, janë sektorët e ekonomisë së dijes, ekonomisë së gjelbër dhe agrotek.

Këtu, meqenëse kemi një pikënisje më të ulët se vendet e tjera, mund ta kthejmë këtë prapambetje në një hapësirë të madhe për ecje më të shpejtë në ristrukturimin produktiv të ekonomisë sonë.

Cilat i konsideroni premisat dhe bazat themelore për rritjen ekonomike për vitin 2024?

Duke pasur parasysh strategjinë kombëtare, prioritetin e qeverisë për arsimin, shëndetësinë, mjedisin dhe bujqësinë si dhe buxhetin afatmesëm 2022-2026, ekonomia shqiptare do të ketë të njëjtën bazë ekonomike.

Turizmi pritet të rrisë kontributin e tij, ndërkohë që sektorët e tjerë do të jenë në rutinën e tyre. Rritja e pagave mund të ushqejë më mirë konsumin e brendshëm, i cili ka një peshë të rëndësishme në mbështetjen e rritjes ekonomike.

Eksporti i mineraleve dhe produkteve bujqësore, do të sjellë efekte pozitive në uljen e deficitit tregtar. Ndërsa rritja e të ardhurave nga turizmi dhe shërbimeve plotësuese të tij, emigrantët dhe Investimet e Huaja Direkte në ekonominë reale dhe investimet në pasuri të paluajtshme mund të përmirësojnë bilancin e llogarisë korrente.

Përmirësimi i bilancit tregtar dhe i bilancit të llogarisë korrente krijon hyrjen e të ardhurave të konsiderueshme që duhet të investohen në ekonomi.

Cilat janë shanset dhe rreziqet që do të na shoqërojnë në vitin 2024?

Rreziqet më të mëdha të mundshme mund të vijnë nga goditjet e jashtme. Vatrat e tensioneve janë rritur. Konflikti Izrael-Hamas, vetëm nëse përhapet në një konflikt rajonal, që nënkupton përfshirjen e Iranit, mund të shkaktojë rritje dhe luhatje të çmimeve të naftës dhe gazit.

Çmimet e burimeve të energjisë ndikojnë ndjeshëm në ekonomi dhe buxhet, teksa turizmi mbetet një sektor që preket lehtësisht nga pandemitë dhe konfliktet.

Një tjetër rrezik potencial me trend në rritje janë fatkeqësitë natyrore, si thatësirat, përmbytjet, tërmetet, zjarret. Ky rrezik është theksuar nga Banka Botërore në një studim të publikuar së fundmi.

Kostot e larta të Partneritetit Publik-Privat në kushtet kur buxheti afatmesëm parashikon ulje të deficitit, gjë që do të reduktojë mbështetjen buxhetore për mbrojtjen sociale dhe prioritetet kryesore.

Zvogëlimi i mbështetjes buxhetore për shëndetësinë dhe mosfinancimi për arsimin dhe mbrojtjen sociale do të krijojnë kosto afatgjata në cilësi dhe përfitime në rritje.

Mbetet i paqartë rreziku i rritjes së inflacionit, që mund të detyrojë Bankën e Shqipërisë të rrisë koston e parasë në ekonomi, gjë që ul kërkesën agregate dhe ndikon në ritmet e rritjes ekonomike.

Një rrezik i mundshëm është shfaqur lidhur me pasuritë e paluajtshme, çmimet jashtë logjikës së një tregu funksional (pa rritje artificiale të kërkesës) mund të ulin blerjet e tyre, mund të ulin kreditimin për pasuritë e paluajtshme. Sipas studimit kryesor të Bankës Qendrore Austriake, ekonomia shqiptare është më e varur nga ndërtimi sesa vendet e tjera të rajonit.

Tensioni politik i brendshëm. Kjo mund të krijojë kosto sociale nga largimi nga vendi, për shkak të zhgënjimit. Në të njëjtën kohë, situata e tensionuar mund të vonojë ose pengojë procesin e integrimit dhe aksesin në fondet e BE-së për rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke synuar dyfishimin e PBB-së nominale të këtyre vendeve deri në vitin 2030.

Në krahun e mundësive mund të vazhdojnë ritmet e rritjes në nivelet e parashikuara ndoshta edhe pak më lart. Turizmi ka potencial të lartë, por shumë shpejt do të ballafaqohet me kostot e tij ndaj zhvillimit të qëndrueshëm.

Kërkesa në rritje për produkte bujqësore dhe blegtorale aq më tepër që kemi rritje të gjeografisë dhe zgjatje të sezoneve turistike, orienton dobishmërinë e rritjes së mbështetjes së bujqësisë, e cila edhe në këtë buxhet vazhdon me një mbështetje minimale.

Nëse në vitin 2023, erdhën rreth 10 milionë turistë, rritet kërkesa për produktet ushqimore dhe për shërbimet plotësuese. Efekti i projekteve infrastrukturore që do të përfundojnë brenda vitit 2024, bërja efektive e fondeve të BE-së dhe me prioritet i fondeve nga IPARD sa më parë gjatë vitit 2024, një burim i konsiderueshëm për të bërë biznesin shqiptar sa më konkurrues.

Reduktimi i deficitit primar deri në suficit, i ardhur nga përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe përdorimi SMART i shpenzimeve dhe investimeve publike (dhe jo nga moskryerja në kohën e duhur të shpenzimeve dhe të investimeve të ardhura për vitin buxhetor 2024, mund të ndihmojë uljen e borxhit dhe sidomos të kostos së tij.

Çfarë këshillash keni për politikëbërjen, sidomos në qëllim të krijimit të një mjedisi më të mirë për kapitalin njerëzor?

Nuk do ta konsideroja këshillë, por disa sugjerime profesionale dhe me këndvështrimin e gjysmës plot, si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën.

1.Reformat strukturore dhe financime prioritare në formimin dhe rritjen e kapitalit njerëzor, si në arsim, shëndetësi, ekonomi të dijes dhe ekonominë e gjelbër.

Një investim infrastrukturor mund të bëhet edhe më vonë. Ndërsa një brez i paarsimuar, i patrajnuar me probleme shëndetësore po rritet – është një kosto e madhe individuale, familjare, por edhe për taksapaguesit. Sipas studimeve, cilësia e kapitalit njerëzor ndikon në rreth 50% të zhvillimeve në PPB.

2. Investime të fokusuara dhe të mbështetura për çdo burim energjie dhe veçanërisht energjinë diellore dhe të erës për të reduktuar mungesat dhe krizat e çmimeve të larta të energjisë. Siguria e burimeve energjetike është garanci për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

3. Diversifikimi i ekonomisë, duke synuar një strukturim pozitiv të saj nga sektorët tradicionalë në sektorët e ekonomisë së dijes dhe ekonomisë së gjelbër. Duhet të kalojmë nga sektorët me shkallë të ulët produktiviteti drejt sektorëve me shkallë më të lartë produktiviteti, duke zgjeruar gjeografinë dhe duke rritur volumet e eksporteve tona drejt tregjeve edhe globale.

4. Krijimi i skemave të sigurimit nga fatkeqësitë natyrore që janë bërë më të shpeshta, më vdekjeprurëse dhe më të kushtueshme për individët, biznesin dhe buxhetin e shtetit. Skemat e sigurimeve nga fatkeqësitë natyrore duhet të nisin nga bujqësia. Modele të suksesshme të këtyre skemave mund të gjenden në shumë vende.

5. Siguria kibernetike duhet të jetë një prioritet kritik, pasi kërcënimet kibernetike janë shumë shkatërruese. Këto sulme ndodhin në çdo sektor të shërbimit. Siguria kibernetike është një prioritet edhe sepse Ballkani, për arsye gjeopolitike, është një rajon përplasjesh influencash. Rreziqet për sulmet kibernetike janë të mëdha edhe nga vendet jomiqësore me Shqipërinë, siç ndodhi gjatë vitit 2023.

6. Kujdes nga absolutizmi i përfitimeve nga Inteligjenca Artificiale dhe imponimi për të përdorur vetëm e-Albania për çdo shërbim publik dhe për të moshuarit që nuk janë të njohur me shërbimet online.

Këtë rrezik e ka vlerësuar që në vitin 2017, Tim Cook, CEO i kompanisë Apple kur paralajmëronte: “Unë nuk jam i shqetësuar për Inteligjencën Artificiale që u jep kompjuterëve aftësinë për të menduar si njerëzit.

Jam më i shqetësuar për njerëzit që mendojnë si kompjuterë, pa vlera apo dhembshuri, pa shqetësim për pasojat. Vetëm teknologjia nuk është zgjidhja.

Ndonjëherë teknologjia është pjesë e problemit”. Prandaj vlerësoj se administrata publike dhe politikanët në çdo nivel, kohën e fituar nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, duhet ta përdorin për të rritur dhe jo për të minimizuar kontaktet e drejtpërdrejta./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco