AKEP propozon heqjen e detyrimit për tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrjetit, Autoriteti i Konkurrencës kundër

AKEP propozon heqjen e detyrimit për tarifa të njëjta brenda dhe jashtë rrjetit, Autoriteti i Konkurrencës kundër

11:57, 19/01/2024
A+ Aa A-

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në analizën e fundit të tregut të telefonisë celulare ka propozuar heqjen e detyrimit të mosdiskriminimit të tarifave mes thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit.

Masa e mosdiskriminimit u vendos në vitin 2014, si përgjigje ndaj praktikës së diferencimit të lartë në tarifat me pakicë për thirrjet brenda rrjetit në raport me ato jashtë rrjetit. Një praktikë e tillë (i njohur në atë periudhë si efekti club), ishte sidomos një mekanizëm që operatorët më të mëdhenj e përdornin për të mbyllur trafikun brenda rrjeteve të tyre dhe për të mos lejuar rritjen e operatorëve me pjesë më të vogël tregu.

Operatorët me pjesën e tregut më të madhe shfrytëzonin bazën më të gjerë të pajtimtarëve, duke ju ofruar incentiva në kohë komunikimi brenda rrjetit me çmime preferenciale. Përdorimi i një praktike të tillë dëmtoi rëndë dy operatorët më të vegjël celularë. Duke vlerësuar se një praktikë e tillë ishte antikonkurruese dhe abuzim me fuqinë e lartë të tregut, AKEP vendosi të ndalonte diferencimin e tarifave me pakcië për thirrjet brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit.

AKEP vëren se, që nga periudha kur është vendosur kjo masë rregullatore, situata e operatorëve të këtij tregu ka ndryshuar ndjeshëm, ku nga katër operatorë celularë tashmë në treg janë vetëm dy, me pjesë e tregu të përfafërta për sa i përket numrit të pajtimtarëve.

AKEP vlerëson se kjo masë e ka dhënë efektin e saj në përputhje me qëllimin e vendosur dhe si e tillë AKEP gjykon që kjo masë mund të tërhiqet në referencë me parashikimet e nenit 36 të ligjit 9918/2008, i ndryshuar. Arsyet e propozimit për tërheqjen e kësaj mase rregullatore ndër të tjera argumentohen nga faktorët si struktura e re e tregut me dy operatorë celularë; mungesa e stimujve të nevojshëm për aplikim të tarifave grabitqare për krijimin e grupeve të mbyllura; ulja e volumit të thirrjeve zanore, ndikuar nga rritja gjithnjë e më e madhe nëpërmjet aplikacioneve OTT (whatsapp, etj), të cilat gjithnjë e më shumë ofrojnë shërbim thirrjesh (audio, video, sms) me cilësi në rritje; struktura e thirrjeve e balancuar për një periudhë relativisht të gjatë.

Propozimi i AKEP për heqjen e këtij detyrimi kundërshtohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vendimin me qëndrimet e saj lidhur me analizën e tregut celular, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se, në kushtet kur AKEP ende nuk ka realizuar një analizë të tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme për rregullimin e këtij tregu, masa e mosdiskriminimit mes tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit duhet të jetë ende në fuqi./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco