Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Raiffeisen Research: Informaliteti i lartë në turizëm solli shifra zhgënjyese të rritjes ekonomike për tremujorin III

Raiffeisen Research: Informaliteti i lartë në turizëm solli shifra zhgënjyese të rritjes ekonomike për tremujorin III

12:20, 29/12/2023
A+ Aa A-

Informaliteti i lartë në sektorin e turizmit ka bërë që rritja ekonomike e dëshmuar nga shifrat zyrtare të jetë disi zhgënjyese.

Në analizën e fundit për performancën e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti, Raiffeisen Research vlerëson se ndikimi i plotë i të ardhurave nga turizmi mund të mos pasqyrohet plotësisht në shifrat zyrtare të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Arsyeja mund të jetë informaliteti i lartë të këtij sektori, ku një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik nuk reflektohet në të statistikat zyrtare.

Sipas të dhënave të publikuara këtë muaj INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.46% në tremujorin e tretë të vitit. Kjo normë rritjeje rezultoi disi zhgënjyese, përkundretj shifrave rekord të turizmit të raportuara për këtë vit.

Për 11 muajt e parë të 2023, Shqipëria priti mbi 9.5 milionë turistë, duke shënuar një rritje të dukshme prej 33.3% krahasuar me një vit më parë. Edhe netëqëndrimet e jorezidentëve në Shqipëri u rritën mesatarisht me 51% në muaj.

Muajt e pikut korrik-gusht përbënin 40% të fluksit total të turistëve gjatë periudhës janar-nëntor, duke rezultuar në një rritje prej 50% të fjetjeve krahasuar me vitin e kaluar. Kjo tregon se turizmi tashmë është i përhapur në mënyrë më të barabartë gjatë gjithë vitit, gjë që është e dobishme për ekonominë e vendit.

Raiffeisen Research vlerëson se kjo rritje po e shndërron turizmin në një forcë shtytëse të rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Performanca e turizmit ka nxitur eksportet e shërbimeve, të cilat u rritën me 54.6% në tremujorin e tretë 2023, kryesisht të nxitura nga të ardhurat e lidhura me udhëtimet, të cilat përbëjnë rreth 70% të totalit të eksporteve. Si rezultat, eksportet e mallrave dhe shërbimeve pësuan një rritje vjetore prej 17.9%, rritja më e lartë midis komponentëve të PBB-së sipas metodës së shpenzimeve.

Si rezultat, eksportet neto kontribuuan pozitivisht në rritjen e PBB-së të tremujorit të tretë 2023. Për herë të parë, bilanci i llogarisë korrente rezultoi në një suficit prej 354 milionë euro, ose rreth 6.3% të PBB-së. Për të gjithë vitin 2023, Raiffeisen Research parashikon një deficit të llogarisë korente prej 2.1% të PBB-së, nga 6% e PBB-së që kishte qenë në vitin 2022.

Por, pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme të turizmit, sektorët e tregtisë, akomodimit dhe sektorit të shërbimeve ushqimore, shënuan një rritje të ngadaltë vjetore prej vetëm 0.8% në tremujorin e tretë të vitit.

Nga ana tjetër, kontributet negative nga industria dhe bujqësia e frenuan rritjen e përgjithshme ekonomike të Shqipërisë. Rënia vjetore e industrisë me 2.9% dhe rënia e lehtë me 0.5% e bujqësisë pasqyrojnë sfidat me të cilat përballen këta sektorë, të ndikuar pjesërisht edhe nga forcimi i monedhës vendase.

Raiffeisen Research vlerëson se, ndërkohë që ekonomia e Shqipërisë duket se po ecën mirë në pamje të parë, informaliteti i lartë i sektorit të turizmit sugjeron se rritja e vërtetë mund të jetë disi më e lartë se vlerësimet zyrtare.

Pavarësisht kësaj, duke marrë parasysh të dhënat e fundit zyrtare, projeksioni i mëparshëm i Raiffeisen Research, një rritje ekonomike prej 4.1% për vitin 2023 mund të jetë tepër optimiste dhe për këtë arsye pritet të rishikohet në ulje./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco