Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Masat mes krizës së energjisë, raporti: Në Shqipëri konsumin e ulën familjet

Masat mes krizës së energjisë, raporti: Në Shqipëri konsumin e ulën familjet

12:41, 21/12/2023
A+ Aa A-

Kriza e energjisë që nisi në vitin 2021 dhe arriti kulmin e saj në vitin 2022 i vendosi vendet përballë presionit për të marrë masa detyruese ose ndërgjegjësuese në funksion të uljes së konsumit.

Sigurimi i energjisë që në disa momente u bë kritik dhe e papërballueshme nxiti reagime të ndryshme.

Një raport i këtyre ditëve i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë vlerëson se cili ishte efekti i këtyre masave duke analizuar të dhënat për secilën palë kontraktuese ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Konkretisht masa e parë që citon raporti është ajo detyruese e institucioneve publike të cilave iu kërkua që të ulnin konsumin me 15 për qind në raport me një vit më parë dhe administratorët që nuk arrinin këtë target të gjobiteshin.

“Shqipëria vendosi detyrimin ndaj institucioneve publike që të ulin konsumin e energjisë elektrike me 15% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Urdhri i vitit 2022 i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë “Për emërimin e administratorit të energjisë për marrjen e masave të veçanta gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në furnizimin me energji elektrike”, vendosi detyrimin për drejtuesit e emëruar të energjisë për të raportuar për ecurinë dhe vendosi gjoba për mosarritjen e objektivave” thuhet në raport.

Sipas Sekretariatit vendet që ulën më shumë konsumin ishin Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërkohë që pas tyre vinte Kosova dhe Shqipëria.

“Konsumatorët e Maqedonisë së Veriut e ulën konsumin e tyre të energjisë elektrike për -9%, duke u ekspozuar ndaj importeve të mëdha të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta të tregut me shumicë të energjisë elektrike.

Një ulje më e ndjeshme u vu re edhe në Mal të Zi për shkak të mbylljes së fabrikës së aluminit (-9%) dhe në Kosovë* (-5%), e cila u përball me probleme të përballueshmërisë dhe gjithashtu ishte e ekspozuar ndaj çmimeve të larta të shitjes me shumicë. Konsumatorët shqiptarë nën masat e emergjencës energjetike kursyen rreth 4% të energjisë elektrike krahasuar me një vit më parë, ndërsa kursimet në Palët e tjera Kontraktuese ishin të vogla (-2% ose më pak)” citon raporti.

Sigurisht ekspertët vlerësojnë se një rol domethënës në konsumin më të ulët të energjisë në palët kontraktuese e ka dhënë në 2022 edhe dimri më i butë.

“Si përmbledhje, një sërë masash për reduktimin e kërkesës u prezantuan nga Palët Kontraktuese gjatë viteve 2022-2023, si përgjigje ndaj krizës energjetike. Karakteri i tyre (i detyrueshëm, vullnetar ose i kombinuar) dhe prioritizimi i burimit të energjisë (energjia elektrike, gazi, ngrohja qendrore) ose sektori i përdorimit përfundimtar, ndryshonte midis palëve kontraktuese. Në këtë pikë, ishte ende shumë herët për të raportuar mbi ndikimin e drejtpërdrejtë të masave për reduktimin e kërkesës nga shumica e palëve (përveç Shqipërisë dhe Moldavisë).

Megjithatë, ulja e përgjithshme e konsumit të gazit dhe energjisë elektrike mund të lidhet me kombinimin e masave për reduktimin e kërkesës kombinuar me kushtet e buta të motit dhe aktivitetet ekonomike të reduktuara në kohë krize” thuhet në raport.

Në fund raporti nënvizon se konsumi final nuk është ndikuar në mënyrë të dukshme nga rritja e çmimeve, veçanërisht konsumi i industrisë. Konsumi i përgjithshëm i konsumatorëve industrial ka rënë në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Moldavi. “Konsumi i familjeve u ul në Shqipëri, Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, dhe veçanërisht aty ku u futën masat e kursimit të energjisë në kombinim me stimujt për reduktimin e kërkesës, si tarifat bllok dhe zbritjet për konsum më të ulët” pranon raporti./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco