Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Java e ferrit për karrierën e Erion Veliaj

Pak interes nga investitorët në buyback të Eurobondit shqiptar, shlyhen vetëm 133 milionë euro

Pak interes nga investitorët në buyback të Eurobondit shqiptar, shlyhen vetëm 133 milionë euro

11:10, 22/11/2023
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare nuk ka arritur të blejë mbrapsht të gjithë shumën e parashikuar prej 250 milionë eurosh nga Eurobondi që maturohet në vitin 2025.

Sipas informacioneve nga tregu financiar, oferta e buyback është mbyllur me shlyerjen e një shumë totale prej 133.3 milionë eurosh, nga 250 milionë euro që ishte shuma e kërkuar për tu blerë mbrapsht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE). Blerja mbrapsht e Eurobondit u bë me një çmim sa 98.5% e vlerës nominale.

Këto shifra tregojnë se kërkesa e qeverisë shqiptare nuk ka ngjallur shumë interes te investitorët dhe pjesa e mbetur e Eurobondit 7-vjeçar të vitit 2018, prej 366.7 milionë eurosh, do të duhet të shlyhet ose të rifinancohet në maturim, në vitin 2025.

Sipas ekspertëve, një nga arsyet mund të jetë fakti se një pjesë e konsiderueshme e Eurobondit mbahet nga bankat shqiptare, që prej vitit të kaluar i kanë kaluar shumicën e titujve financiarë në kategorinë “të mbajtura deri në maturim”, për tu mbrojtur nga rritja e shpejtë e yield-eve.

Për këtë arsye, bankat kanë treguar një interes të dobët edhe në ankandet e buyback të obligacioneve në lekë që ka zhvilluar këtë vit Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Mosarritja për të blerë mbrapsht të gjithë vlerën e kërkuar të Eurobondit 2025 krijon një tepricë edhe më të madhe likuiditeti në llogaritë e qeverisë shqiptare. Në fund të muajit tetor, suficiti buxhetor kishte vlerën e 48 miliardë lekëve.

Alternativat që ngelen janë përdorimi i këtyre parave për mbulimin e deficitit buxhetor në vazhdimësi, duke ulur huamarrjen e brendshme, shlyerja e detyrimeve të tjera të borxhit të jashtëm, ose rritja e nivelit të parashikuar të borxhit publik për vitin 2023.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, niveli i borxhit publik në raport me PBB në fund të vitit 2023 parashikohet të ulet në rreth 61.5%, ndërkohë që në fund të vitit 2024 planifikohet në nivelin prej 59.8%. Gjithsesi, MFE thekson niveli i pritshëm i borxhit mbetet në varësi të realizimit të planit të huamarrjes gjatë pjesës së mbetur të vitit 2023 dhe gjatë 2024, si dhe realizimi i transaksionit të buyback të Eurobondit.

Duke pasur parasysh edhe nivelin e lartë të suficitit buxhetor të akumuluar deri tani, alternativa më e shpejtë mund të jetë anulimi i disa prej ankandeve të bonove dhe obligacioneve, duke përdorur tepricën e fondeve nga mosrealizimi i buyback për të shlyer disa prej instrumenteve që maturohen në këtë periudhë.

Në rast se MFE do të ndjekë alternativën e uljes së huamarrjes së brendshme, kjo do të shtojë likuiditetin në tregun e brendshëm dhe do të kufizojë presionet mbi yield-et, pas rritjes së fundit të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Në qershor të këtij viti, Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj. Eurobondi 5-vjeçar në shumën 600 milionë euro u emetua me një kupon fiks prej 5.9% dhe me një yield prej 6.125%. Fillimisht, rreth 200 milionë euro prej tyre parashikohej të përdoreshin për shlyerjen e pjesshme të Eurobondit që maturohet në 2025, por MFE vendosi ta rriste shumën e kërkuar në 250 milionë euro, ndoshta për shkak të suficitit të lartë buxhetor të akumuluar. Megjithatë, interesi i investitorëve nuk ka qenë shumë i lartë dhe MFE ka arritur të blejë mbrapsht pak më shumë se gjysmën e shumës së kërkuar./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco