Eksperti ekonomisë: Shifrat e turistëve nuk reflektojnë importet. Turistët kanë ardhur me bukë me vete

Eksperti ekonomisë: Shifrat e turistëve nuk reflektojnë importet. Turistët kanë ardhur me bukë me vete

21:40, 27/09/2023
A+ Aa A-

Eksperti i ekonomisë Pano Soko, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me turizmin në Shqipëri në përfundim të sezonit turistik.

Ai u shpreh se në mes të numrave rekord që janë publikuar, ka edhe njerëz që kalojnë transit në Shqipëri, turistë 24-orësh ose edhe më pak.

Soko shtoi se nëse analizohen të dhënat e importit për muajin gusht, ato nuk reflektohen me rritjen e turizmit, për shkak të importimit të produkteve të konsumit nga Shqipëria, gjë që sipas tij tregon një problematikë në nxjerrjen e shifrave.

“Ne kemi 7.2 milionë hyrje që konsiderohen si turistë. Ka edhe njerëz që kalojnë transit në Shqipëri nga këta. Porti mund të punojë si transit. Nga aty ikin drejt Kosovës ose Maqedonisë. Ka turistë 24 orësh, ose janë kroçerat e rajonit që sjellin turistë për tri orë dhe largohen.

Nëse analizojmë të dhënat e importit për gushtin, ku pret që të reflektohet 25% rritje, por importet në gusht kanë mbetur njëlloj. Pra këta turistë kanë ardhur me bukë me vete, se duhet të reflektohej. Duke qenë se nuk e shoh të reflektuar ardhjen e turistëve me rritjen e importeve, unë them se ka një problem me këto shifra”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër gazetari Auron Tare u shpreh se rritja e turizmit ka qenë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, kjo për shkak të vakumit të krijuar nga pandemia e Covid.

Sipas tij kryesisht në vend kanë mbërritur turistë “low cost” që nuk shtojnë shifra të konsiderueshme në ekonominë e vendit.

“Shqipëria këtë vit duhet futur në kontekstin rajonal dhe botëror, edhe vendet e tjera kanë rritje të lartë turizmi. Kjo vjen për shkak të vakumit të lëvizjes që u krijua nga pandemia dhe njerëzit kanë pasur etje për udhëtimin. Megjithatë hyrja e turistëve në vend ka qenë gjë pozitive.

Turisti që ka ardhur në përgjithësi ka qenë turist “low cost”. Ky nuk ka sjellë në ekonominë shqiptare ndonjë rritje të madhe. Ka një fenomen ku shumë nomadë digjitalë kanë qëndruar në jug të vendit duke punuar online për shkak të jetës së lirë në krahasim me vendet nga vijnë.

Shqipëria nuk ka një përgatitje ose ide të qartë se çfarë turizmi do të bëjë në vend. Shqipëria nuk bën dot turizëm elitar për shkak të shpartallimit të vijës bregdetare. Ne po krijojmë disa oaze ose fshatra përgjatë vijës bregdetare që s’kanë lidhje me markën shqiptare”, tha ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco