SYRI TV/ Rënia e euros fut në krizë eksportin, prodhimi në fabrika dobësohet

16:02, 04/07/2023
A+ Aa A-

Rënia e euros ka futur në krizë bizneset eksportuese në vend, edhe pse nga qeveria ky ngërç cilësohet si diçka normale. Të prekur drejtpërdrejt janë prodhuesit, veçanërisht bizneset eksportuese, të cilët po shkojnë drejt falimentit për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane. Ndikimi i uljes së euros po shkakton dëme jo vetëm për sipërmarrësit, por edhe punonjësit, të cilët rrezikojnë të mbeten pa punë.

SYRI TV

Ndonëse qeveria e quan normale rënien e euros në kufij historik, ata që po përballen me vështirësitë reale janë prodhuesit, veçanërisht bizneset eksportuese, të cilët po shkojnë drejt falimentit. Ky sektor prej muajsh po përballet me humbje të mëdha financiare për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane. 

Shqetësimi është pasqyruar edhe nga të dhënat zyrtare mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, të cilat tregojnë se në 3-mujorin e parë pati rritje të industrisë përpunuese me vetëm 0.5%, niveli më i ulët që nga 3-mujori i dytë 2020 ku vendi ishte nën masat kufizuese të pandemisë. Sipas Monitor, në të njëjtin tremujor të vitit 2022, rritja reale në sektorin e përpunimit ishte 13%. Duke parë ciklin e prodhimit në sektorin e industrisë përpunuese, tremujori i parë dhe i dytë kanë rritje më të lartë si rrjedhojë e ciklit të punës dhe prodhimit, por tremujori i parë i vitit 2023 bëri përjashtim, teksa prodhimi mbeti në vend numëro, një situatë e pazakontë në këtë periudhë.

Industria përpunuese gjendet në situatë të vështirë. Referuar të dhënave nga INSTAT në tremujorin e parë të 2023 punësimi pësoi rritje vjetore me 4%. Por në sektorin e industrisë shënoi rënie me -2.7% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar dhe rënie 1.8% me 3-mujorin e fundit të vitit.

Të dhënat zyrtare zbuluan se vlera e eksporteve arriti në mbi 135 miliardë lekë në 2022 me rritje vjetore mbi 20%, më e larta që nga viti 2015. Fabrikat nisën rritjen e pagave për punonjësit për të frenuar kështu edhe largimin e fuqisë punëtore, por kursi i këmbimit i ktheu planet përmbys. Humbjet e pësuara jo vetëm që nuk do të mundësojnë shtesa në paga, por sektori rrezikon të ulë më tej edhe pagat aktuale.

Sinjalet e para u dhanë në tremujorin e parë të vitit, ku paga mesatare në ekonomi arriti 66,014 lekë, duke shënuar rënie me 2% në krahasim me fundit e vitit. Rënia me bazë 3-mujore në muajt e parë të 2023 është më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo situatë për shoqatat e eksportuesve do të shoqërohet nga një efekt domino, ku të dëmtuar janë jo vetëm sipërmarrësit, por edhe punonjësit, të cilët rrezikojnë të mbeten pa punë. Nga muaji janar i këtij viti deri në muajin prill, vlerësohet që bizneset eksportuese të kenë pasur një dëm të jashtëzakonshëm prej mbi 8 milion eurosh. Në këtë situatë, përfaqësues të këtyre bizneseve kanë kërkuar politika lehtësuese.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco