Nga ideja në biznes: Tirana Bank mbështet kompanitë e nxënësve shqiptarë

Nga ideja në biznes: Tirana Bank mbështet kompanitë e nxënësve shqiptarë

15:26, 23/05/2024
A+ Aa A-

Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes është një nga ngjarjet vjetore me një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive të sipërmarrjes dhe inovacionit tek të rinjtë në Shqipëri. Organizuar nga Junior Achievement of Albania dhe mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, së bashku me financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Tirana Bank, ky festival i mendjeve të mençura synon të krijojë një mjedis të përshtatshëm që inkurajon kreativitetin dhe inovacionin nëpërmjet nxënësve të shkollave të arsimit të mesëm të lartë.

Në edicionin e këtij viti, i cili u mbajt më 14-15 maj në Tiranë, morën pjesë 95 nxënës përfaqësues të 19 kompanive, nga 17 shkolla të arsimit të mesëm të lartë në Tiranë, Elbasan, Peshkopi, Berat, Kuçovë, Përrenjas, Korçë dhe Sarandë.

Në përfundim të tre Festivaleve Rajonale të Sipërmarrjes të realizuara në Shkodër dhe Vlorë, Festivali dy ditor i Tiranës ishte finalizimi i një pune intensive disa mujore mes mentorësh, trajnuesish e nxënësish, të cilët zhvilluan këtë vit lëndën me zgjedhje “Shoqëritë e nxënësve” në 52 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Një numër i madh nxënësish, rreth 2,132 u përfshinë rigorozisht duke prezantuar projektet e ideuara nga vetë ata, për të ngritur më pas 68 kompanitë e tyre.

Idetë dhe produktet e e zhvilluara prej tyre, adresojnë fusha të ndryshme duke përfshirë Ekonominë e Gjelbër, IT dhe Inovacionin, Web dhe App Dizajn.

Vetëm nëntë prej tyre arritën të “rrëmbenin” çmime të cilat u vlerësuan nga një panel jurie profesioniste me anëtarë Manjola Capo (Tirana Bank), Shqipe Berisha (TUMO), Bora Feri (MPay), Akil Rjadho (POK), Altin Sholla (TBU) dhe Ornela Bego (Kastrati Group).

Znj. Manjola Capo, Drejtuesja e Divizionit të Kredisë pranë Tirana Bank akordoi për “Kaleidos” çmimin e dytë për “Sipërmarrja Sociale”.

Çmimi i parë për “Shoqëria Sipërmarrëse më e mirë e vitit 2024” për kompaninë “Eco Empathy” u akordua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, z. Dritan Mustafa.

Në fjalën e mbajtur prej tij, theksoi me krenari bashkëpunimin për të tretin vit radhazi në mbështetje të Junior Achievement of Albania, duke treguar qartë përkushtimin e palëkundur ndaj arsimit dhe edukimit financiar.

Si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, ai përgëzoi kreativitetin e të rinjve, si dëshmi e frymës së sipërmarrjes dhe inovacionit.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai rikonfirmoi investimet e vazhdueshme në iniciativa arsimore, me besimin për të mbështetur një gjeneratë të ardhshme sipërmarrësish inovatorë, që ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në të gjithë shoqërinë tonë.

Pas tij dhe z. Michael Granoff, Kryetar i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, u shpreh i lumtur për rritjen e vazhdueshme dhe impaktin e JA në Shqipëri, si një shtyllë mjaft kryesore për krijimin, ndërtimin dhe formimin e sipërmarrësve, liderëve dhe novatorëve.

Ndërsa znj. Blerina Guga,  Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Junior Achievement of Albania, përmendi në fjalën e saj rëndësinë e këtij rrugëtimi 9 mujor të nxënësve dhe mësuesëve, që shkojnë përtej të mësuarit tradicional, duke vënë në praktikë modele bashkëkohore dhe duke skalitur tek të rinjtë aftësi që do t’i kenë gjatë gjithë jetës.

Ajo përgëzoi pjesëmarrjen e lartë të vajzave si drejtuese të kompanive, duke arritur një rritje 74% në krahasim me 48% që ishte në vitin e shkuar. Shumë prej tyre iu akorduan dhe çmime fituese.

Kompania fituese e çmimit të pare, fokusi i së cilës është ulja e ndotjes përmes riciklimit dhe dekompozimit, do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Sipërmarrjes, që zhvillohet në Katania, Itali nga JA Europe.

Një tregues i qartë që shpreh angazhimin dhe interesin e madh që të rinjtë kanë në fushën e sipërmarrjes, inovacionit dhe edukimit financiar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco