FIFA hap hetim ndaj Argjentinës pas banderolës për Ishujt Malvinas

FIFA hap hetim ndaj Argjentinës pas banderolës për Ishujt Malvinas

14:27, 16/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

FIFA ka nisur zyrtarisht një hetim ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA) pas shfaqjes së banderolës me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”) nga futbollistët e Argjentinës gjatë festimeve pas fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Sipas mediave spanjolle, organi më i lartë i futbollit botëror do të mbledhë informacion, do të dëgjojë palët e përfshira dhe më pas do të vendosë për masat disiplinore. Rregulloret e FIFA-s ndalojnë në mënyrë të qartë çdo mesazh apo manifestim me përmbajtje politike gjatë ndeshjeve dhe aktiviteteve zyrtare të saj.

Aktualisht po shqyrtohen dy skenarë të mundshëm ndëshkimi: një gjobë financiare ndaj Federatës Argjentinase ose sanksione sportive, si pezullime për lojtarët e përfshirë. Megjithatë, sipas raportimeve, opsioni më i mundshëm është vendosja e një gjobe ekonomike, ndërsa pezullimet konsiderohen pak të mundshme.

Brenda orëve të ardhshme, AFA pritet të marrë njoftimin zyrtar nga FIFA, e cila do t'i japë federatës afatin për të paraqitur shpjegimet dhe mbrojtjen e saj. Në qendër të vëmendjes është veçanërisht Giovani Lo Celso, i cili ishte futbollisti që vendosi banderolën në fushë gjatë festimeve.

Veprimi i lojtarëve bie në kontrast me deklaratat e trajnerit Lionel Scaloni-t para ndeshjes ndaj Anglisë. Tekniku argjentinas kishte kërkuar të shmangej çdo lidhje mes sfidës sportive dhe çështjes së Ishujve Malvinas, duke deklaruar se “është vetëm një ndeshje futbolli”. Megjithatë, pas përfundimit të takimit, futbollistët jo vetëm e shfaqën banderolën, por festuan duke pozuar pas saj së bashku me tifozët.

Ekzistojnë precedentë të ngjashëm. Në vitin 2014, FIFA gjobiti Federatën Argjentinase pasi lojtarët shfaqën të njëjtin mesazh në një ndeshje miqësore kundër Sllovenisë. Për këtë arsye, edhe në rastin aktual pritet që dënimi të jetë financiar.

Me finalen e Botërorit kundër Spanjës që afrohet, FIFA synon ta trajtojë çështjen sa më shpejt, ndërsa mbetet për t'u parë nëse do të mjaftohet vetëm me një gjobë apo do të vendosë masa të tjera disiplinore ndaj Argjentinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco