Gara për Këpucën e Artë të Kupës së Botës 2026 po bëhet gjithnjë e më emocionuese. Pas përfundimit të fazës gjysmëfinale, Lionel Messi dhe Kylian Mbappé vazhdojnë të kryesojnë listën e golashënuesve me nga 8 gola secili.
Kapiteni i Argjentinës është i vetmi që ka mundësinë të shkëputet në krye, pasi skuadra e tij do të luajë finalen e madhe ndaj Spanjës, ndërsa Franca e Mbappé-së tashmë është jashtë garës për titull. Një gol në finalen e Botërorit mund t’i japë Messit avantazhin vendimtar në duelin për çmimin individual.
Pas tyre renditet Erling Haaland me 7 gola, por sulmuesi norvegjez nuk mund të shtojë më shifra pasi kombëtarja e tij u eliminua nga Anglia.
Në vendet pasuese janë Harry Kane dhe Jude Bellingham me nga 6 gola. Bellingham u ngjit në këtë renditje falë ‘dopietës’ së tij në ndeshjen ndaj Norvegjisë, që ndihmoi Anglinë të arrinte deri në fazën gjysmëfinale.
Me nga 5 gola ndodhen francezi Ousmane Dembélé dhe spanjolli Mikel Oyarzabal, i cili shënoi golin hapës në gjysmëfinalen ndaj Francës.
Ndërkohë, me nga 4 gola janë Vinicius Junior (Brazil), Ismaila Sarr (Senegal) dhe Julian Quinones (Meksikë).
Lista e golashënuesve me 3 gola përfshin emra të njohur si Lautaro Martinez i Argjentinës, Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Romelu Lukaku i Belgjikës, Cody Gakpo i Holandës, Kai Havertz i Gjermanisë dhe shumë të tjerë.
Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të vendosë vetëm kampionin e botës, por mund të përcaktojë edhe fituesin e garës për golashënuesin më të mirë të turneut.
© SYRI.net