Në Angli ka nisur analiza e humbjes në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës, sidomos për mënyrën se si “Tre Luanët” humbën avantazhin dhe u eliminuan nga kampionët në fuqi.
Shumë ish-futbollistë të mëdhenj të kombëtares angleze kanë drejtuar gishtin nga trajneri Thomas Tuchel, duke e akuzuar për një qasje tepër defensive pas golit të avantazhit.
Ish-sulmuesi i Anglisë, Chris Sutton, e cilësoi humbjen si një katastrofë të shkaktuar nga vendimet e trajnerit gjerman.
“Ishte një katastrofë e shkaktuar nga Thomas Tuchel. Nuk mund të presësh që të mbrohesh për 30 minuta ndaj një skuadre të nivelit të Argjentinës. Gjithçka lidhet me trajnerin dhe zëvendësimet që bëri. Pyetja është: si mund të kesh besim te Tuchel për të drejtuar këtë skuadër më tej?”, deklaroi Sutton.
Edhe Wayne Rooney nuk e kuptoi ndryshimin e sjelljes së Anglisë pas golit të Gordon.
“Ne u rrëzuam. Gjithçka nisi me trajnerin dhe vendimet që mori. Ishte shumë pasiv. Kundër një skuadre si Argjentina, kampione e botës, nuk mund ta kalosh pa u ndëshkuar. Kjo ishte prova më e vështirë dhe ne dështuam”, tha Rooney.
Edhe Alan Shearer kritikoi strategjinë e Tuchel: “Ai i përdori letrat e tij shumë herët dhe kjo iu kthye kundër. Është ndryshe të rezistosh ndaj Norvegjisë apo Meksikës, por Argjentina ka cilësi për të të ndëshkuar në çdo moment”.
Ish-portieri Joe Hart theksoi se Argjentina nuk tregoi asnjë shenjë paniku pas golit të Anglisë.
“Norvegjia dhe Meksika kishin humbur qetësinë ndaj nesh, por unë nuk pashë asnjë shenjë paniku nga Argjentina. Pashë besim dhe një skuadër që e dinte se mund ta aktivizonte Messin në pozicionet qendrore dhe të na vinte në vështirësi”, u shpreh Hart.
Ndërsa Micah Richards shtoi: “Kur Anglia shënoi golin e parë, duhej të kërkonte edhe të dytin. E kuptoj respektin për cilësinë e kundërshtarit, por të tërhiqesh aq shumë i dha Argjentinës mundësinë të rikthehej në ndeshje”.
Humbja ndaj Argjentinës ka hapur një debat të madh në Angli për mënyrën e menaxhimit të ndeshjes nga Thomas Tuchel, i cili tani përballet me presionin e parë të madh që nga marrja e drejtimit të kombëtares.
© SYRI.net