Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, u shfaq krenar pas triumfit 2-1 ndaj Anglisë, sukses që u siguroi kampionëve në fuqi një vend në finalen e Kupës së Botës 2026, ku do të përballen me Spanjën.
Tekniku argjentinas vlerësoi edhe një herë Lionel Messin, duke theksuar se legjenda e “Albiceleste”-s gëzon respekt të jashtëzakonshëm edhe në Spanjë, falë gjithçkaje që ka dhuruar gjatë viteve me fanellën e Barcelonës.
“Jam i bindur se shumë tifozë spanjollë do ta shijojnë këtë finale edhe sepse përballë do të kenë Messin. Ai u ka dhënë emocione të paharrueshme dhe është një futbollist që admirohet nga të gjithë”, deklaroi Scaloni.
Trajneri nuk la vend për diskutime kur u pyet për statusin e kapitenit argjentinas.
“Nuk mendoj se ka mbetur ndonjë argument kundër. Messi e ka treguar në çdo mënyrë të mundshme se është futbollisti më i madh në historinë e këtij sporti”, u shpreh ai.
Scaloni rezervoi fjalë të mëdha edhe për skuadrën e tij, duke theksuar shpirtin luftarak që e ka çuar Argjentinën deri në finale.
“Ky grup është i jashtëzakonshëm. Është e vështirë të përshkruash karakterin dhe dëshirën që kanë këta lojtarë. Ata nuk dorëzohen kurrë”, tha trajneri.
Në fund, ai dërgoi edhe një mesazh të qartë për Spanjën përpara finales: “Kur e ndiejmë se kundërshtari është në vështirësi, ne sulmojmë pa hezitim. Ky është mentaliteti ynë dhe nuk do ta ndryshojmë.”

© SYRI.net