Grupi L i Kupës së Botës 2026 do të mbyllet mbrëmjen e sotme me dy ndeshje vendimtare, që do të përcaktojnë skuadrat që do të vazhdojnë rrugëtimin në fazën e 1/16-ve. Vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Kroacisë dhe Ganës, ndërsa Anglia do të kërkojë të sigurojë vendin e parë përballë Panamasë.
Pas barazimit 0-0 mes Anglisë dhe Ganës në raundin e dytë, situata në grup është bërë shumë interesante. Anglezët kryesojnë renditjen me katër pikë dhe diferencë golash +2, po aq pikë sa Gana, e cila ka diferencë +1. Kroacia renditet e treta me tri pikë, ndërsa Panamaja është e fundit pa asnjë pikë.
Në Pensilvani, duke nisur nga ora 23:00, Kroacia dhe Gana do të përballen në një ndeshje që vlen praktikisht një biletë për në fazën tjetër. Gana hyn në këtë sfidë me avantazhin e një pike dhe i mjafton edhe barazimi për të ruajtur vendin e dytë, ndërsa kroatëve u duhet vetëm fitorja për të siguruar kualifikimin.
Në të njëjtën orë, rreth 300 kilometra më larg, Anglia do të përballet me Panamanë. Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel konsiderohet favorite absolute ndaj kundërshtarit më të dobët të grupit dhe synon tri pikët për të vulosur vendin e parë. Barazimi me Ganën në ndeshjen e kaluar la një shije të hidhur te "Tre Luanët", të cilët tani kërkojnë të rikthejnë besimin dhe të hyjnë me moral të lartë në fazën me eliminim direkt.
Renditja e Grupit L para ndeshjeve të fundit:
Anglia – 4 pikë (+2)
Gana – 4 pikë (+1)
Kroacia – 3 pikë (-1)
Panamaja – 0 pikë (-2)
© SYRI.net