‘Ylli’ i ri i Spanjës, Lamine Yamal, ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për stilin e tij jashtë saj. Para ndeshjes së fituar 4-0 nga Spanja ndaj Arabisë Saudite në Atlanta, talenti i Barcelonës u shfaq me një varëse luksoze të veçantë.
Aksesori i personalizuar është një simbol i lagjes “304”, ku Yamal është rritur, dhe është punuar nga argjendaria AJ Jewels, e themeluar nga portugezët João Soares dhe Sergio Oliveira në vitin 2017. Kjo pjesë është realizuar me ar 18 karatësh të bardhë dhe të verdhë dhe është e zbukuruar me mbi shtatë mijë diamante.
“Ky nuk është thjesht një numër apo një gjest. Është një simbol i farkëtuar në ar, i formuar nga kuptimi dhe i vulosur me diamante”, shkroi kompania AJ Jewels në rrjetet sociale.
Yamal e veshi këtë varëse gjatë mbërritjes në “Mercedes-Benz Stadium” në Atlanta, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe tifozëve.
João Soares dhe Sergio Oliveira, ish-mesfushor i Portugalisë me 13 ndeshje me kombëtaren, janë krijuesit e këtij projekti të veçantë artistik që po fiton gjithnjë e më shumë famë në botën e futbollit dhe modës.
© SYRI.net