Fundi i misioneve amerikane në Irak pas 23 vitesh nuk shihet si një tërheqje e plotë, por si një ripozicionim strategjik i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, i diktuar nga ndryshimet politike dhe zhvillimet teknologjike.
Sipas analizave të fundit, Uashingtoni synon të shmangë një skenar të ngjashëm me tërheqjen nga Afganistani, duke riorganizuar praninë ushtarake në rajon në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më pak të ekspozuar ndaj kërcënimeve.
Një nga shqetësimet kryesore është rritja e kërcënimit nga Irani, i cili sipas zyrtarëve të sigurisë nuk është më një rrezik teorik.
Raportime të inteligjencës amerikane kanë ngritur dyshime se operatorët iranianë mund të kenë tentuar të gjurmojnë ushtarët amerikanë përmes shërbimeve të telefonisë celulare në vendet e Gjirit, me synimin për sulme të mundshme me dronë.
Në këtë kuadër, mbyllja e bazës së fundit operative amerikane në Irak shihet si pjesë e një arkitekture të re mbrojtëse në rajon.
Sipas raportimeve, SHBA po shqyrton zhvendosjen e disa kapaciteteve ushtarake nga bazat në vendet e Gjirit drejt zonave më të sigurta, përfshirë Jordaninë dhe zona pranë Izraelit.
Lufta e fundit në rajon ka nxjerrë në pah edhe kufizimet e rezervave amerikane të municioneve. Një raport i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerëson se gjatë fushatave të fundit janë konsumuar një pjesë e konsiderueshme e raketave mbrojtëse Patriot dhe THAAD, ndërsa rikthimi i rezervave në nivelet e mëparshme mund të kërkojë disa vite.
Sipas raportit, SHBA përballet gjithashtu me presionin për të mbajtur furnizimet ushtarake për Ukrainën, duke e bërë edhe më të rëndësishëm riorganizimin e kapaciteteve në Lindjen e Mesme.
Kështu, ndryshimi i strategjisë amerikane në Irak dhe rajon nuk përfaqëson një largim nga Lindja e Mesme, por një përpjekje për të krijuar një prani më fleksibël dhe më të mbrojtur ndaj kërcënimeve të reja.
© SYRI.net