Dhjetëra dokumente të deklasifikuara së fundmi mbi UFO-t janë publikuar nga administrata Trump, duke hedhur më shumë dritë mbi një sërë pamjesh dhe incidentesh të pashpjegueshme që janë hetuar ndër vite nga ushtria amerikane dhe agjenci të tjera qeveritare.
Paketa e katërt e dokumenteve, e publikuar të premten në faqen zyrtare të Departamentit të Mbrojtjes, shoqërohet me deklaratën se “ka ardhur koha që populli amerikan ta shohë vetë të vërtetën”, ndërsa arkivit publik i janë shtuar dhjetëra dokumente, fotografi dhe video të reja.
Ndër materialet më të rëndësishme janë pamjet e një objekti misterioz me tetë cepa që qëndron pezull mbi Azinë Lindore, një objekti të ngjashëm me një kandil deti mbi Oqeanin Atlantik dhe një rasti ende të pazgjidhur që përfshin një mjet fluturues me formë të pazakontë që lëviz në trajektore zigzage mbi SHBA-në perëndimore.
Publikimi përfshin gjithashtu një raport të Departamentit të Energjisë, ku përshkruhet një incident në uzinën bërthamore Pantex në Teksas. Sipas raportit, në vitin 2015 radarët zbuluan një objekt të heshtur, në formë diamanti, që fluturonte mbi objektin me siguri të lartë, duke detyruar ekipet e sigurisë të ngriheshin menjëherë në ndjekje.
Zyrtarët raportuan se objekti fluturoi vetëm 100 deri në 200 metra mbi tokë, pa ndonjë sistem të dukshëm shtytës, përpara se të zhdukej. Pamjet e mbikëqyrjes u analizuan nga Laboratorët Kombëtarë Sandia, ndërsa të gjitha provat iu dorëzuan FBI-së.
Në dosje përfshihet edhe raporti i njohur COMETA, një studim i hartuar nga gjeneralë francezë në pension dhe ekspertë të mbrojtjes, i cili arrin në përfundimin se hipoteza e origjinës jashtëtokësore është shpjegimi më i besueshëm për disa nga rastet më të pazakonta të raportuara me UFO.
Autorët e raportit paralajmërojnë se fenomeni duhet trajtuar si një çështje e sigurisë kombëtare dhe u bëjnë thirrje qeverive të përgatiten për mundësinë që njerëzimi të mos jetë i vetëm në univers.
Dokumentet e publikuara përfshijnë dhjetëra vite raportesh mbi takime të pashpjegueshme, duke përfshirë pamje ushtarake, gjurmime me radar dhe incidente që mbeten të pazgjidhura pavarësisht hetimeve të gjera.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi:
“Departamenti i Mbrojtjes po punon ngushtë me Presidentin Trump për të ofruar transparencë të paprecedentë mbi njohuritë e qeverisë amerikane lidhur me Fenomenet Anomale të Paidentifikuara (UAP). Këto dosje, të mbajtura për dekada të klasifikuara, kanë ushqyer prej kohësh spekulime dhe ka ardhur koha që qytetarët amerikanë t’i shohin vetë. Publikimi i tyre dëshmon angazhimin e administratës Trump për transparencë të plotë.”
Sipas Pentagonit, interesi publik për dosjet e UFO-ve ka qenë në nivele rekord. Faqja e internetit e Departamentit të Mbrojtjes ka regjistruar më shumë se 1.7 miliardë vizita në mbarë botën që prej lançimit të saj më 8 maj. Paketa e dytë e dokumenteve u publikua dy javë më vonë, ndërsa e treta më 12 qershor.
Një nga videot më të diskutuara është dorëzuar nga Komanda Indo-Paqësore e SHBA-së. Pamjet 18-sekondëshe, të regjistruara nga një sensor infra të kuq në vitin 2025, tregojnë një objekt me pamje të ngjashme me një yll me tetë cepa që lëviz mbi Detin e Verdhë dhe në disa momente qëndron pezull.
Në përshkrimin zyrtar thuhet se sensori ndjek një zonë kontrasti që i ngjan një ylli me gjashtë cepa, duke e mbajtur objektin të përqendruar në ekran. Megjithatë, videoja përmban pjesë të redaktuara për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve, vendndodhjet e objekteve qeveritare dhe informacione të ndjeshme ushtarake.
Një tjetër video, e regjistruar në vitin 2020, paraqet 32 sekonda pamje infra të kuqe të një objekti të errët që i ngjan një kandili deti. Pamjet kanë nxitur krahasime me të ashtuquajturin “UAP kandil deti”, të filmuar vite më parë mbi Irak, megjithëse autoritetet nuk kanë sugjeruar ndonjë lidhje mes dy rasteve.
Sipas një raporti të Komandës Veriore të SHBA-së, objekti kishte ngjyrë gështenjë të errët dhe një lartësi të vlerësuar prej 3 deri në 4.5 metrash. Dëshmitarët thanë se ai dukej sikur lëvizte me erën, pa ndryshuar drejtim apo bërë manovra, duke i ngjarë një tullumbaceje të madhe të deformuar.
Departamenti i Mbrojtjes thekson se publikimi i këtyre pamjeve ka karakter informues dhe nuk përbën një përfundim zyrtar mbi identitetin apo origjinën e objekteve.
Paketa përfshin edhe një video të Task Forcës për Fenomenet Anomale të Paidentifikuara të Marinës Amerikane (UAPTF), e regjistruar në vitin 1996 mbi një zonë të pazbuluar në SHBA-në perëndimore. Pamjet tregojnë një objekt me formë rrethore dhe dy zgjatime anësore, ndërsa një avion ushtarak e ndjek nga pas mbi terren malor.
Një nga dosjet më të detajuara trajton incidentin e shtatorit 2015 në uzinën bërthamore Pantex në Teksas. Raporti tregon se personeli i sigurisë u mobilizua pasi radarët zbuluan një objekt të paidentifikuar pranë kompleksit bërthamor. Oficerët e ndoqën për disa kilometra, ndërsa dëshmitarët e përshkruan si një objekt të heshtur, në formë diamanti dhe pa sistem të dukshëm shtytës.
Dosja përmban gjurmë radari, fotografi të mbikëqyrjes dhe imazhe të përpunuara nga Laboratorët Kombëtarë Sandia, në përpjekje për të përcaktuar natyrën e objektit.
Një tjetër video, e regjistruar në vitin 2024, tregon një fenomen ajror të paidentifikuar të raportuar nga Komanda Indo-Paqësore te Zyra për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Fushat (AARO). Fillimisht sensori ndjek një pikë të vetme kontrasti, por pas zmadhimit objekti duket sikur shpërbëhet në disa pika të ndritshme që lëvizin në formacion diagonal derisa zhduken në distancë.
Gjithashtu është publikuar një video 10-sekondëshe e regjistruar në vitin 2023 nga Komanda Qendrore e SHBA-së. Pamjet tregojnë dy objekte misterioze që kalojnë në drejtime të kundërta përmes fushës së shikimit të sensorit.
Një dokument tjetër i rëndësishëm është transkripti i një takimi sekret të mbajtur në vitin 1949 në Los Alamos, ku zyrtarë ushtarakë dhe shkencëtarë të njohur amerikanë diskutuan mbi një seri “topash zjarri të gjelbër” të raportuar mbi Nju Meksiko.
Sipas pjesëmarrësve, objektet nuk ngjanin me meteorët e zakonshëm. Ato lëviznin pothuajse horizontalisht, ruanin shpejtësi konstante, lëshonin një shkëlqim intensiv smeraldi dhe nuk prodhonin asnjë zhurmë.
Astronomi Lincoln LaPaz argumentoi se fenomeni nuk përputhej me karakteristikat e meteoritëve të njohur, duke ngritur mundësinë se bëhej fjalë për një fenomen krejtësisht të ri ose edhe për një teknologji sekrete. Ai zbuloi se fillimisht kishte dyshuar se objektet ishin pjesë e operacioneve të klasifikuara ushtarake pranë instalimeve bërthamore, por Forcat Ajrore deklaruan se nuk kishin asnjë informacion mbi to.
Dosjet përfshijnë gjithashtu dokumente të Projektit Sign të vitit 1948, një nga hetimet e para zyrtare të Forcave Ajrore mbi raportimet për “disqet fluturuese”.
Pas analizimit të rreth 100 rasteve, hetuesit vunë re ngjashmëri të shumta mes dëshmive. Objektet përshkruheshin si disqe ose forma ovale, të afta të qëndronin pezull, të përshpejtonin me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe, në disa raste, të lëviznin më shpejt se shpejtësia e zërit.
Dëshmitarët vlerësuan se madhësia e objekteve varionte nga sa dukej një monedhë 25-centëshe e mbajtur në gjatësinë e krahut deri te mjete aq të mëdha sa gjashtë bombardues B-29, ndërsa disa raportuan se ato fluturonin në heshtje, pa asnjë gjurmë të dukshme shkarkimi.
Megjithëse Forcat Ajrore nuk arritën t’i identifikonin këto objekte, raporti përfundonte se provat ishin tepër bindëse për t’u shpërfillur dhe rekomandonte vazhdimin e hetimeve.
© SYRI.net