Një burrë i shpallur fajtor për vrasjen e katër personave të pastrehë në tetor të vitit 2019 në New York City është dënuar këtë të enjte me minimumi 40 vite burg, një dënim që mund të kthehet në burgim të përjetshëm.
Sipas vendimit të gjykatës shtetërore të New Yorkut, i dënuari do të ketë të drejtën të kërkojë lirim me kusht vetëm pasi të ketë vuajtur të paktën 40 vite burg. Në rast se kërkesa refuzohet, ai do të mbetet në burg për pjesën tjetër të jetës.
Autori i krimeve, 31-vjeçari Randy Rodriguez Santos, me origjinë nga Republika Dominikane, jetonte gjithashtu në rrugë në kohën kur kreu sulmet. Ai akuzohet se goditi për vdekje viktimat ndërsa ato flinin, në tre sulme të ndara të ndodhura në lagjen Chinatown të Manhattanit.
Gjatë njërës prej ngjarjeve, një person i pestë mbeti i plagosur rëndë, ndërsa autori përdori një levë metalike rreth 15 paundëshe.
Mbrojtja argumentoi se i pandehuri vuante nga skizofrenia në momentin e kryerjes së krimeve, duke përmendur gjithashtu historinë e tij të dhunës dhe varësisë nga droga. Megjithatë, juria hodhi poshtë pretendimin për paaftësi mendore, duke vendosur se ai kishte vepruar me vetëdije.
“Vrasjet brutale të kryera nga Randy Santos tronditën qytetin e Nju Jorkut”, deklaroi Prokurori i Qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg, në një reagim pas shpalljes së vendimit.
Ai shtoi se personat e pastrehë “meritojnë të njëjtin nivel sigurie si çdo qytetar tjetër”, duke theksuar nevojën për më shumë mbështetje ndaj shtresave më vulnerabël të shoqërisë.
© SYRI.net