Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ka urdhëruar ushtrinë izraelite të zgjerojë kontrollin në Rripin e Gazës deri në 70% të territorit, duke rritur më tej tensionet pavarësisht armëpushimit të arritur në tetor 2025.
Gjatë një konference të mbajtur të enjten, Netanyahu tha se Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) aktualisht kontrollojnë rreth 60% të Gazës.
“Po e shtrëngojmë Hamasin. Tani kontrollojmë 60% të territorit të Gazës. Ishim në 50%, kaluam në 60%. Direktiva ime është të arrijmë në 70%”, u shpreh ai.
Deklarata e Netanyahut vjen në një moment kur Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, ndërsa negociatat indirekte me Hamasin, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, mbeten të bllokuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të drejtuar nga Hamasi, të paktën 738 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor. Kombet e Bashkuara i konsiderojnë këto shifra të besueshme.
Në të njëjtën kohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli është “i vendosur të eliminojë të gjithë ata që udhëhoqën sulmet e 7 tetorit 2023”.
Ai shtoi gjithashtu se Hamasi “nuk do të qeverisë më Gazën, as në aspektin civil dhe as ushtarak”.
Ndërkohë, sulmet ajrore në Gaza kanë vijuar edhe këtë javë. Sipas burimeve lokale, të paktën 10 persona, mes tyre pesë fëmijë, u vranë në një bombardim izraelit ndaj një ndërtese në Gaza City.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur “dy terroristë qendrorë të Hamasit” në veri të Gazës, ndërsa mediat lokale raportuan se objektivi ishte komandanti i Hamasit, Imad Asleem, i cili mbeti i vrarë bashkë me vajzën e tij.
Një ditë më parë, Izraeli njoftoi gjithashtu vrasjen e kreut të sapozgjedhur të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në vitin 2023, ku humbën jetën rreth 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, deri më 12 maj 2026 janë vrarë mbi 72 mijë palestinezë, mes tyre më shumë se 21 mijë fëmijë.
© SYRI.net