Ditët dhe javët në vijim pritet të jenë një periudhë ankthi për Pedro Sánchezin, familjen e tij, partinë dhe qeverinë që ai drejton.
Nesër, vëllai më i vogël i kryeministrit spanjoll, David Sánchez, do të dalë në gjyq lidhur me akuzat se i ishte krijuar posaçërisht një vend pune nga këshilli lokal i qytetit jugperëndimor Badajoz, i drejtuar nga socialistët, në korrik të vitit 2017. Në atë kohë, vëllai i tij ishte lider kombëtar i PSOE-së, por ende nuk kishte marrë postin e kryeministrit.
Ndërkohë, një gjyqtar që po heton pretendimet se bashkëshortja e Sánchezit, Begoña Gómez, ka përdorur ndikimin e saj si gruaja e kryeministrit për të siguruar sponsorë për një program master universitar që ajo drejtonte, si dhe ka përdorur fonde shtetërore për të paguar asistenten e saj për çështje personale, e ka thirrur atë të paraqitet në gjykatë më 9 qershor.
Si David Sánchez ashtu edhe Gómez kanë mohuar çdo shkelje. Të dy janë vënë nën hetim pas kallëzimeve të bëra nga grupi “Manos Limpias” (“Duart e Pastra”), një organizatë që e përshkruan veten si sindikatë, por që ka lidhje me të djathtën ekstreme dhe një histori të gjatë të përdorimit të gjykatave për të ndjekur objektiva politikë.
Kryeministri spanjoll, i cili ka deklaruar se familja e tij ka qenë viktimë e një “operacioni ngacmimi dhe bullizimi” të organizuar nga kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë, ka këmbëngulur se asnjëri prej tyre nuk ka kryer ndonjë vepër penale, shkruan The Guardian.
Sánchez ka vënë gjithashtu publikisht në dyshim pavarësinë e disa anëtarëve të sistemit gjyqësor spanjoll, duke deklaruar vitin e kaluar se “nuk ka asnjë dyshim që ka gjyqtarë që bëjnë politikë dhe politikanë që përpiqen të bëjnë drejtësi”.
Situata për socialistët mori një tjetër kthesë negative javën e kaluar, kur ish-kryeministri i PSOE-së, José Luis Rodríguez Zapatero, u vu nën hetim nga një gjyqtar që po shqyrton shpëtimin financiar shtetëror të një kompanie ajrore të lidhur me Venezuelën gjatë pandemisë së Covid-19. Zapatero, një figurë simbolike e së majtës spanjolle që shërbeu si kryeministër nga viti 2004 deri në 2011, do të paraqitet para gjykatës më 18 dhe 19 qershor.
Hetimi më i fundit është pjesë e një çështjeje që lidhet me paketën prej 53 milionë eurosh të akorduara nga shteti për shpëtimin e kompanisë ajrore spanjolle Plus Ultra në mars të vitit 2021.
Prokurorët po shqyrtojnë nëse kompania ka bërë “përdorim të papërshtatshëm” të fondeve publike të miratuara nga qeveria, ndërsa policia kundër korrupsionit po heton nëse kompania ka përdorur fondet e shpëtimit për të pastruar para nga Venezuela përmes Francës, Zvicrës dhe Spanjës.
Sipas gjyqtarit hetues, Zapatero dyshohet se ka drejtuar “një strukturë hierarkike të trafikut të influencës”, që kishte për qëllim “sigurimin e përfitimeve ekonomike përmes ndërmjetësimit dhe ushtrimit të ndikimit pranë institucioneve publike në favor të palëve të treta, kryesisht kompanisë Plus Ultra”.
Zapatero publikoi javën e kaluar një video ku deklaroi pafajësinë e tij dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me hetimin.
“Dua të rikonfirmoj se e gjithë veprimtaria ime publike dhe private është zhvilluar gjithmonë me respekt absolut ndaj ligjit,” tha ai, duke shtuar se nuk kishte kryer “asnjë veprim” që lidhej me shpëtimin financiar të kompanisë ajrore.
Ndërkohë, ditën e sotme oficerët e Guardia Civil kanë hyrë në selinë e Partisë Socialiste Spanjolle ( PSOE), në rrugën Ferraz në Madrid. Operacioni, sipas disa raportimeve të mediave spanjolle dhe Reuters, u urdhërua nga autoritetet gjyqësore për të mbledhur informacion mbi një skemë të dyshuar të paligjshme financimi.
© SYRI.net