Lajmi i fundit

Live - SYRI DIGJITAL/ Heqja e non-gratës, Berisha 'rrëzon' Rama-Soros

Komisari për migracionin: Qendrat e kthimit të BE-së do të jenë vullnetare dhe me garanci mbrojtëse

Komisari për migracionin: Qendrat e kthimit të BE-së do të jenë vullnetare dhe me garanci mbrojtëse

16:18, 12/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Komisari Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, ka deklaruar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk do të jenë të detyruara të krijojnë qendra kthimi në kuadër të kornizës së re të migracionit të bllokut, duke theksuar se çdo marrëveshje e tillë me vende të treta do të jetë vullnetare dhe do t'u nënshtrohet garancive të përcaktuara në legjislacionin e BE-së.

Duke folur në një konferencë ministrore në Nicosia, Brunner tha se Komisioni Evropian ka krijuar bazën ligjore për qendrat e kthimit përmes rregullores së propozuar për kthimin, e cila do t'u mundësojë vendeve të BE-së të transferojnë në vende të treta të përcaktuara personat që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në bllok.

Megjithatë, ai theksoi se çdo vendim për krijimin e marrëveshjeve të tilla do të mbetet vullnetar për vendet anëtare.

Brunner tha se rregullorja për kthimin përmban garanci që synojnë të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të së drejtës ndërkombëtare.

"Të drejtat e njeriut janë të pa negociueshme, sigurisht që po", tha ai.

Sipas tij, vendet anëtare që lidhin marrëveshje me vende të treta do të duhet t'ia paraqesin ato Komisionit Evropian, i cili do të monitorojë nëse garancitë po respektohen.

Ai shtoi se edhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Agjencinë e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), do të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve të tilla.

Komentet e tij erdhën teksa Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin hyri në fuqi sot, pas miratimit të tij në maj të vitit 2024, duke reformuar kornizën e bllokut për migracionin dhe azilin dhe duke hedhur themelet për një qasje të re ndaj menaxhimit të migracionit.

Ai e përshkroi paktin e ri si një "pikë historike" për politikën evropiane të migracionit dhe azilit dhe tha se për herë të parë BE-ja ka miratuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj migracionit.

Brunner tha se pakti ofron rregulla që më parë mungonin dhe përfaqëson "një ndryshim të madh" në politikën migratore të bllokut.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të dimensionit të jashtëm të BE-së dhe zgjerimit të ndikimit të saj përmes politikës së vizave, masave tregtare dhe instrumenteve financiare.

Brunner gjithashtu tha se BE-ja po përgatit një "nismë ambicioze" të përqendruar në rrugën lindore të migracionit, e cila përdoret nga migrantët që udhëtojnë nga Bangladeshi dhe Pakistani përmes vendeve të Gjirit drejt Egjiptit dhe Libisë, përpara se të përpiqen të arrijnë në Evropë.

Sipas tij, nisma synon të reduktojë mbërritjet e parregullta përmes angazhimit më të madh me vendet përgjatë kësaj rruge./ AA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco