Një cisternë nafte ka raportuar një shpërthim të jashtëm në Ngushticën e Hormuzit, pranë brigjeve të Omanit, sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
Kapiteni i anijes ka deklaruar se shpërthimi ka ndodhur në anën e majtë (port side) të tanker-it, duke shkaktuar rrjedhje të një sasie karburanti në det. Pavarësisht incidentit, autoritetet konfirmojnë se ekuipazhi është i sigurt dhe anija nuk ka pësuar dëmtime kritike që rrezikojnë lundrimin.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të rritura në rajon, ku Irani është akuzuar për pengim të sigurisë në këtë korridor kyç të transportit detar, përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e tregtisë globale të naftës. Sipas raportimeve, që nga fillimi i përshkallëzimeve të fundit, disa anije janë vënë nën zjarr në këtë zonë strategjike.
Incidenti i fundit ndodh gjithashtu pas deklaratave të Teheranit, i cili ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “shkelje flagrante” të armëpushimit dhe ka paralajmëruar se nuk do të lërë pa përgjigje zhvillimet e fundit diplomatike dhe ushtarake.
Autoritetet detare po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e shpërthimit, ndërsa situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar për shkak të rëndësisë së saj strategjike për tregtinë globale të energjisë.
© SYRI.net