Nga Clara Kaluderovic, FOX NEWS
Brenda pak orësh pas goditjes amerikane mbi territorin iranian, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, publikoi një deklaratë që media perëndimore e trajtoi kryesisht si një shënim diplomatik, por ajo ishte një sinjal se ajo që ndodh në qiellin e Teheranit, ka ndikim të drejtpërdrejtë në tokën e Ukrainës.
Presidenti Zelensky përkrahu shprehimisht sulmet, e quajti Iranin “bashkëpunëtor të Putinit,” theksoi se vendi i tij ka përjetuar mbi 57.000 sulme me dronë të furnizuar nga Irani, dhe hodhi akuza ndaj Moskës: “Sa herë që ekziston vendosmëria amerikane, kriminelët globalë dobësohen. Kjo duhet t’u bëhet e qartë edhe rusëve”.
Inkuadrimi i luftës në Iran nga Zelensky, përmes prizmit të luftës në Ukrainë, nuk është i rastësishëm. Pavarësisht objektivave të shpallura nga Uashingtoni, presidenti, i cili ka përjetuar konfliktin ukrainas që nga pushtimi i vitit 2022, e kupton se Irani ka qenë një bashkëpunëtor aktiv në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, dhe Shtetet e Bashkuara tani kanë vepruar kundër këtij bashkëpunëtori.
Duke goditur regjimin iranian, që e ka furnizuar Rusinë me dronët Shahed (dhe aftësinë për t’i prodhuar), që kanë terrorizuar popullsinë civile ukrainase për më shumë se katër vjet, Uashingtoni ka eliminuar një aleat kyç të Rusisë, gjë që do të ndikojë negativisht në aftësinë e Moskës për të zhvilluar luftë në Europë.
Kur dronët e furnizuar nga Irani filluan të binin mbi Kiev në tetor 2022, duke shkatërruar pallate dhe duke zhytur qytetet në errësirë, bota mësoi shpejt një fjalë të re: Shahed.
Shahed-136 nuk është një armë e sofistikuar. Nuk është e shpejtë (edhe pse përmirësimet ruse kanë rritur ndjeshëm aftësitë e saj). Nuk është aq precize sa një raketë kruz. Ajo që është, dhe që gjithmonë është projektuar të jetë në duart e Rusisë, është një armë e terrorit ndaj civilëve.
Dronët Shahed rusë synojnë stacionet e energjisë dhe pallatet. Shkatërrimi që shkaktojnë kontribuon në ndërprerjet e energjisë që lënë familjet pa dritë dhe ngrohje gjatë dimrit. Është silueta trekëndore që ukrainasit janë mësuar ta shohin në qiellin e natës, zhurma e ulët e veçantë nga propeleri i tij që i bën njerëzit të vrapojnë drejt strehimoreve. Kam parë Shahed të lëvizin përmes hapësirës ajrore ukrainase drejt objektivave civile. Kam qëndruar me ekipet interceptuese në errësirë duke bërë gjithçka që mundeshin për t’i rrëzuar dromët Shahed para se të arrinin objektivat e tyre. Imazhet e këtyre dromëve, që fluturojnë drejt ndërtesave në Kiev, përfaqësojnë koston njerëzore të kontributit të dëmshëm të Iranit në luftën në Ukrainë.
Në fillim të vitit 2023, Irani nënshkroi një kontratë prej 1.75 miliardë dollarësh për dronë shtesë dhe planet e plota të prodhimit. Më pas, Rusia ndërtoi një fabrikë prodhimi në Tatarstan. Inteligjenca ukrainase vlerëson se Rusia tani prodhon deri në 1.000 dronë të modifikuar Geran çdo ditë duke përdorur teknologjinë e marrë nga Irani. Në thelb, Teherani i dorëzoi Moskës planin e një fushate terrori kundër civilëve, të cilën Rusia e ka industrializuar më pas në tokën e saj.
Përtej dronëve, Irani furnizoi gati 3 miliardë dollarë raketa balistike dhe raketa tokë-ajër para dhe gjatë pushtimit, duke përfshirë qindra raketa balistike Fath-360, shumë sisteme kundër-ajrore dhe qindra mijëra fishekë artilerie, me vlerë totale armësh që tejkalon 4 miliardë dollarë.
Municioni iranian rimbushi stoqet e Rusisë, duke shuar shpresat e Perëndimit që Rusia mund të mbaronte shpejt fishekët, dronët dhe raketat. Si shpërblim, Rusia i ofroi Iranit sisteme ajrore S-400, avionë luftarakë Su-35, ndërtim reaktorësh bërthamorë dhe mbulim gjeopolitik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një partneritet strategjik 20-vjeçar u formalizua në fillim të vitit 2024. Ky ishte një bosht i ndërtuar në dimensione ushtarake, bërthamore, financiare dhe diplomatike, dhe për shkak të veprimit amerikan në Iran, ky bosht është shembur në mënyrë spektakolare. Në një deklaratë të fundit, Ministri i Jashtëm rus, Dimitry Peskov, tha se Rusia nuk do të nderojë marrëveshjen e saj të mbrojtjes me Iranin, sepse e kishin nënshkruar marrëveshjen me ajatollah Khamenein, i cili është vrarë.
Megjithatë, partneri strategjik më i rëndësishëm i Rusisë, Kina, vazhdon të furnizojë sasi të mëdha mikroelektronike dhe komponentë për kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë në një shkallë që Irani nuk mund ta përballonte. Por Pekini ka shmangur me kujdes transferimin e drejtpërdrejtë të pajisjeve vdekjeprurëse për të ruajtur një shkallë mohimi. Irani, nga ana tjetër, mbushi boshllëkun që Kina e la qëllimisht të hapur: armë frontale dhe planet e prodhimit, të përdorura pa hezitim.
Rusia ka bërë tërësisht të brendshme prodhimin e dronëve Shahed, madje duke përmirësuar dizajnin origjinal me variantet më të sofistikuara dhe më të shtrenjta Geran. Trashëgimia 50-vjeçare e terrorit e qeverisë iraniane do të jetojë jo vetëm në shtetet e Lindjes së Mesme, por edhe në Europë, për sa kohë që lufta në Ukrainë vazhdon.
Me fushatën amerikane që premton të zgjasë së paku disa javë, kapaciteti i Iranit për të furnizuar raketa balistike shtesë tani është komprometuar. Aftësia e tij për të përmirësuar dizajnet e dronëve në vend dhe për të dorëzuar komponentët zëvendësues është zvogëluar. Për më tepër, çdo aset rus që potencialisht devijohet për të mbrojtur një Iran të dëmtuar — sisteme ajrore mbrojtëse, komponentë avionësh, logjistikë — është një aset i papërdorshëm në Zaporizhzhia ose Kherson. Moska tani është e ngarkuar nga një partner i dobësuar dhe i dëshpëruar në pikën më të vështirë, kur shpërqendrimi i tillë është më i rrezikshëm.
Ky përfaqëson një lloj tjetër presioni mbi Rusinë, ndryshe nga sanksionet apo ndihmat në fushëbetejë — një presion që vepron përmes rrjeteve të partneritetit dhe zinxhirëve të furnizimit që kanë mbajtur përpjekjet e luftës ruse. Deklarata parashikuese e Zelensky-t se, çdo akt agresioni përfundimisht përballet me një përgjigje të drejtë, ishte e drejtuar ndaj Moskës dhe Teheranit. Ndërsa Ukraina nuk ishte konsiderata kryesore e Uashingtonit kur presidenti Trump vendosi të godiste Iranin, llogaritë e luftës në Ukrainë do të bëhen më të ndërlikuar për Rusinë, dhe kjo është një gjë e mirë për ukrainasit që luftojnë për të drejtën e tyre themelore për të mbijetuar.
© SYRI.net