Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler ka deklaruar se Samiti i ardhshëm i liderëve të NATO-s në Ankara do të shënojë "kthesë të rëndësishme" në formësimin e drejtimit të ardhshëm strategjik të aleancës ndërsa ajo përshtatet me një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks.
"Ne nuk e shohim Samitin e NATO-s që do të mirëpresim në Ankara thjesht si një takim liderësh. Ne besojmë se ky samit do të jetë kthesë e rëndësishme që dëshmon vendosmërinë e NATO-s për t'u përshtatur me mjedisin e sigurisë në zhvillim dhe që formëson drejtimit e saj të ardhshëm strategjik", tha Guler.
Ministri foli për gazetarët në Bruksel pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s dhe në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, përpara Samitit të Liderëve të NATO-s që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara.
Guler tha se diskutimet u fokusuan në pozicionin e parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s, mbështetjen për Ukrainën dhe sfidat e tjera të sigurisë. Ai tha se u bëri me dije homologëve mbi kontributet e Turqisë në NATO si një nga pesë kontribuesit kryesorë të aleancës me forca ushtarake, progresin drejt përmbushjes së angazhimit të aleancës për shpenzimet e mbrojtjes prej 5 për qind, mbështetjen për Ukrainën dhe përgatitjet për Samitin e Ankarasë.
Guler e përshkroi mikpritjen e Samitit nga Turqia si një pasqyrim natyral të kontributeve të saj ushtarake, përvojës operacionale dhe kapacitetit për të ofruar siguri brenda aleancës, duke shtuar se "diplomacia e udhëheqjes efektive, e besueshme dhe e orientuar drejt rezultateve" e presidentit Recep Tayyip Erdogan do të jetë një nga tiparet përcaktuese të samitit.
- Industria e mbrojtjes dhe kapacitetet e NATO-s
Ministri Guler u shpreh se kërcënimet konvencionale tani shoqërohen nga kërcënime hibride, kibernetike, terrorizëm, risqe të sigurisë energjetike dhe paqëndrueshmëri rajonale, gjë që kërkon që NATO të forcojë parandalimin kolektiv.
Ai theksoi se industria vendase e mbrojtjes e Turqisë kontribuon jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për mbrojtjen kolektive të NATO-s. "Sistemet tona vendase dhe kombëtare mbështesin ndërveprueshmërinë e aleatëve dhe kontribuojnë në parandalimin e përgjithshëm të aleancës. Një industri e fortë mbrojtjeje nënkupton parandalim të fortë dhe një NATO të fortë", tha ai.
Guler shtoi se një Forum i Industrisë së Mbrojtjes që do të mbahet paralelisht me Samitin e Ankarasë do të rrisë bashkëpunimin mes aleatëve, duke vënë në dukje se tre ministria të mbrojtjes të NATO-s kishin nënvizuar gjatë takimeve rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit me industrinë turke të mbrojtjes.
- Roli i Turqisë brenda NATO-s
Guler tha se Ankaraja pret që Samiti të riafirmojë parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe angazhimin ndaj nenit 5, ndërkohë që inkurajon aleatët të ndërmarrin hapa konkretë mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe objektivat e aftësisë.
Duke e përshkruar Turqinë si ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, ai tha se vendi vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive në trajnime, stërvitje, operacione dhe aktivitete komandimi dhe kontrolli në të gjithë aleancën.
Ai potencoi përvojën operacionale të Forcave të Armatosura Turke në operacionet kundër terrorizmit dhe ndërkufitare, duke vënë në dukje se Turqia po përgatitet të marrë komandën e Forcës Aleate të Reagimit, duke e quajtur atë "një tregues konkret të besueshmërisë dhe rëndësisë strategjike të Turqisë brenda aleancës".
- Ukraina, Deti i Zi dhe Lindja e Mesme
Ai e përshkroi stabilitetin në Detin e Zi si "një pjesë të pandashme të sigurisë euroatlantike". Lidhur me Lindjen e Mesme, Guler tha se zhvillimet rajonale kanë implikime për sigurinë globale dhe përshëndeti marrëveshjen e arritur për t'i dhënë fund luftës Iran-SHBA.
Sipas tij, Turqia është e gatshme të mbështesë operacionet e pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit nëse është e nevojshme dhe mbetet e përgatitur të kontribuojë në sigurinë detare dhe lirinë e lundrimit në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
"Turqia ndjek një qasje konstruktive që mbështet paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale, duke mbështetur dialogun dhe diplomacinë në vend të zgjerimit të konflikteve", tha ai duke shtuar se autoritetet po marrin masat e nevojshme për të parandaluar rreziqet për sigurinë kombëtare.
- Kritika ndaj marrëveshjes franko-greko qipriote
Më tej ministri Guler kritikoi një marrëveshje të fundit midis Francës dhe administratës greke qipriote, duke e quajtur atë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. "Marrëveshja e nënshkruar midis Francës, e cila nuk ka status garantues dhe administratës greke qipriote është një nismë që i mungon legjitimiteti, prish ekuilibrin delikat dhe është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar", tha ai.
Ai nënvizoi se Turqia do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e saj garantuese në lidhje me Republikën Turke të Qipros Veriore dhe përsëriti angazhimin e Ankarasë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor duke iu përgjigjur çdo kërcënimi kundër sigurisë së turqve qipriotë.
- "Turqia është në qendër të arkitekturës së sigurisë"
Guler tha se Turqia mbetet një nga aktorët kryesorë në NATO, sigurinë euroatlantike dhe stabilitetin rajonal përmes forcës së saj ushtarake, industrisë së mbrojtjes, diplomacisë dhe vizionit strategjik.
"Sot, ekziston një realitet shumë i qartë: Turqia nuk është në periferi të arkitekturës së sigurisë, por në qendër të saj. Ndërsa e ardhmja e NATO-s formësohet, Turqia nuk është një vend që shikon zhvillimet nga larg, por një nga aleatët kryesorë që kontribuon në vendime, duke marrë përgjegjësinë dhe duke prodhuar siguri", deklaroi ai./ AA.
© SYRI.net