Nga Eliana Silver, DAILY MAIL
Ky është momenti kur një pilot amerikan, i cili u hodh me parashutë nga një avion luftarak F-15 i rrëzuar mbi Kuvajt, u kërcënua nga një vendas me një tub metalik.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një grup burrash që i afrohen pilotit duke bërtitur, ndërsa njëri prej tyre tund një tub metali në mënyrë kërcënuese.
Piloti dëgjohet duke përsëritur: “Tërhiquni. Ndal!” ndërsa burrat afrohen gjithnjë e më shumë, duke menduar se ushtaraku ishte iranian.
Situata e tensionuar zbutet vetëm pasi piloti më në fund u thotë vendasve se është amerikan, pas së cilës ata tërhiqen dhe e lënë të qetë.
Piloti ndodhej në një nga tre avionët amerikanë që u rrëzuan gabimisht mbi vendin e Lindjes së Mesme të hënën.
Pamje të mëparshme kishin treguar avionët, me vlerë 90 milionë dollarë, duke humbur kontrollin dhe duke u përplasur në tokë.
Komanda Qendrore e SHBA (US CENTCOM) tha se të gjashtë anëtarët e ekuipazhit u hodhën me sukses dhe janë gjetur, evakuuar dhe transferuar në spitale për kontrolle shëndetësore.
Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit tha se po bashkëpunon me SHBA-në lidhur me “rrethanat e incidentit” dhe se do të nisë një hetim.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit deklaroi:
“Disa avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan këtë mëngjes. Konfirmojmë se të gjithë anëtarët e ekuipazhit mbijetuan.
Autoritetet nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, duke evakuuar ekuipazhet dhe duke i transportuar në spital për vlerësim dhe trajtim mjekësor. Gjendja e tyre është e qëndrueshme.”
Videoja virale pason një tjetër ndërveprim, më miqësor, mes një piloti tjetër të hedhur me parashutë dhe vendasve në Kuvajt.
Pamjet tregojnë një pilote femër pa emër duke buzëqeshur gjer në veshë, pavarësisht se ishte rrëzuar nga qielli pak çaste më parë si pasojë e një incidenti “friendly fire”.
“A të duhet diçka për ndihmë?”, dëgjohet duke e pyetur burri që po filmonte, ndërsa i afrohej asaj.
“Nuk ka problem, je e sigurt, je e sigurt. Çdo gjë mirë? Faleminderit që po na ndihmon,” vazhdon ai.
Pamje të tjera treguan edhe pilotin e tretë duke ecur në tokë pasi edhe ai ishte hedhur me sukses nga avioni.
Pentagoni tha të hënën se numri i të vdekurve mes ushtarakëve amerikanë ishte rritur në katër.
Vetëm një ditë më parë, administrata konfirmoi se tre trupa amerikanë ishin vrarë në përleshje me forcat iraniane.
Rritja e numrit të viktimave erdhi pasi Donald Trump i tha Daily Mail në një intervistë ekskluzive telefonike të dielën se përplasjet me Iranin mund të zgjasin edhe katër javë të tjera.
© SYRI.net