Arrestimi i një oficeri policie në Itali, pas vrasjes së një marokeni, ka shkaktuar polemika pasi opozita akuzoi qeverinë e të djathtës ekstreme të Giorgia Melon-it për shfrytëzimin e rastit për qëllime politike.
Abderrahim Mansouri, 28 vjeç, u qëllua në kokë nga Carmelo Cinturrino, zëvendës shef i komisariatit Mecenate, gjatë një patrullimi antidrogë në zonën Rogoredo të Milanos në fund të janarit.
Fillimisht, Cinturrino tha se kishte vepruar në vetëmbrojtje pasi Mansouri kishte nxjerrë një armë ndaj tij.
Rasti u përdor nga qeveria italiane si shembull për të justifikuar një ligj të propozuar që synon t’u japë më shumë mbrojtje oficerëve të policisë kur përdorin armë në vetëmbrojtje.
Por prokurorët në Milano thanë se versioni i Cinturrino-s ishte kundërshtuar nga dëshmitarët, të cilët pohuan se Mansouri nuk mbante armë gjatë incidentit dhe ishte qëlluar ndërsa përpiqej të arratisej. Prokurorët pretendojnë se arma e gjetur në vendngjarje, e cila qëllonte vetëm fishekë manovre, ishte vendosur aty nga Cinturrino për të mbështetur historinë e tij.
Hetimet e mëtejshme treguan se Mansouri kishte frikë nga oficeri i policisë dhe donte ta denonconte për kërkesa të supozuara për drogë dhe para mbrojtjeje.
Kreu i prokurorisë së Milanos, Marcello Viola, tha të hënën: “Me ndjenjë trishtimi marr pjesë në këtë konferencë, kur një përfaqësues i shtetit, në këtë rast një oficer policie, është i përfshirë në një çështje kaq të rëndë dhe të ndjeshme.”
Prokurorët thanë se faktori vendimtar për arrestimin e Cinturrino-s ishin provat, duke përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, që tregonin se “viktima nuk mbante armë kur u sulmua” dhe se arma “u soll dhe u vendos pranë trupit më vonë”.
Duke folur përmes avokatit të tij, Cinturrino kërkoi falje të martën. “Unë duhej të isha ai që zbatonte ligjin, por bëra një gabim,” tha ai, duke shtuar se kishte tradhtuar besimin e kolegëve të tij, citon The Guardian.
Avokati i tij, Piero Porciani, tha se ai kishte qëlluar nga frika, duke shtuar: “Të gjithë e dimë që ajo që bëri më pas ishte një gabim.” Ai shtoi se klienti i tij nuk kishte marrë kurrë para nga askush.
Menjëherë pas vrasjes së Mansouri-t, anëtarë të koalicionit të Melonit, veçanërisht zëvendëskryeministri Matteo Salvini, dolën në krah të oficerit dhe kritikuan magjistratët për nisjen e hetimit penal.
Një masë në projektligjin e fundit të sigurisë së qeverisë, miratuar në fillim të shkurtit por që ende duhet të hyjë zyrtarisht në fuqi, përjashton oficerët e policisë ose çdo qytetar tjetër nga regjistrimi automatik si të dyshuar nga prokurorët nëse kanë përdorur armë ose forcë në vetëmbrojtje.
Elly Schlein, udhëheqësja e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, akuzoi qeverinë për përdorimin e rastit Rogoredo për “spekulim politik”, ndërsa Giuseppe Conte, kreu i Lëvizjes Pesë Yjet, tha se qeveria kishte bërë një “gabim serioz”.
Conte shtoi: “Është një çështje shumë serioze, sepse ata duan të japin gjykime që i përshtaten politikës së tyre, të rrisin mbështetjen dhe të promovojnë propagandën.”
Rasti vjen mes një debati të nxehtë mbi një referendum të ardhshëm për reformimin e sistemit të drejtësisë, të cilin kundërshtarët e shohin si një mënyrë për qeverinë Meloni që të dobësojë gjyqësorin dhe të ushtrojë ndikim politik.
© SYRI.net