Protestat në Iran nuk po qetësohen: numri i të vdekurve dhe të arrestuarve po rritet

Protestat në Iran nuk po qetësohen: numri i të vdekurve dhe të arrestuarve po rritet

15:42, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të paktën 35 persona janë vrarë në protestat në Iran, përfshirë 29 protestues, katër fëmijë dhe dy anëtarë të forcave iraniane të sigurisë, raportoi rrjeti amerikan i të drejtave të njeriut Hrana, raporton Deutsche Welle.

Gjatë demonstratave kundër regjimit autoritar, u arrestuan më shumë se 1,200 persona, sipas organizatës me seli në SHBA, e cila mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit dhe ka ofruar informacione të sakta gjatë trazirave të kaluara.

Irani është tronditur nga protesta në të gjithë vendin për nëntë ditë, duke demonstruar kundër kostos së lartë të jetesës dhe situatës së vështirë ekonomike. Në fillim, protestuan kryesisht tregtarët në Teheran, por më vonë studentëve në qytete të shumta iu bashkuan lëvizjes së protestave.

Protestat janë përhapur në më shumë se 220 vende në 26 nga 31 provincat, dhe përleshjet janë më të ashpra në perëndim të vendit, në zonën Malekshahi, ku jetojnë shumë kurdë, raporton DW dhe shton se situata është ende e paqëndrueshme, me qasje të kufizuar në informacion për shkak të kufizimeve në internet dhe presionit mbi familjet e viktimave.

Të dhënat nga kompania e IT-së Cloudflare treguan një rënie të përkohshme të trafikut në internet me rreth një të tretën të shtunën, ndërsa të dielën, vëllimi ishte pothuajse 15 përqind më i ulët se zakonisht.Irani gjithashtu ka kufizuar rëndë aksesin në internet gjatë protestave masive të kaluara - për shembull, në vitet 2009, 2019 dhe 2022, si dhe gjatë sulmeve ushtarake izraelite në qershor të vitit të kaluar. Ndonjëherë, interneti ishte bllokuar plotësisht dhe vetëm disa faqe interneti iraniane ishin të aksesueshme.

Shkalla e protestave aktuale nuk ka arritur ende ato të vitit 2022, të cilat u shkaktuan nga vdekja e gruas së re kurde Mahsa Amini gjatë paraburgimit nga policia.

Që nga marsi i vitit të kaluar, Irani ka regjistruar një normë inflacioni prej më shumë se 36 përqind, dhe monedha kombëtare, riali, ka humbur rreth gjysmën e vlerës së saj kundrejt dollarit, gjë që ishte arsyeja e protestave.

Të dielën, qeveria iraniane njoftoi ndihmë financiare për qytetarët në shumën prej rreth gjashtë eurosh për katër muajt e ardhshëm, pasi paga mesatare në vend është 170 euro në muaj.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i përshkroi kërkesat ekonomike të protestuesve si "të justifikuara", por paralajmëroi se "rebelët duhet të disiplinohen".

Ndërkohë, për protestat në Iran foli edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili tha se SHBA-të po i monitorojnë nga afër ngjarjet në Iran dhe kërcënoi autoritetet me ndërhyrje të SHBA-së nëse dhuna ndaj protestuesve dhe vrasja e njerëzve vazhdon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco