Maduro u dha pasaporta diplomatike trafikantëve të drogës, paratë e krimit transportoheshin me avionë

Maduro u dha pasaporta diplomatike trafikantëve të drogës, paratë e krimit transportoheshin me avionë

11:40, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Stephanie Samsel, FOX NEWS

Kapja e diktatorit venezueliane, Nicolás Maduro, “nuk kishte të bënte vetëm me drogën”, tha Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, në intervistën e saj të parë mbi operacionin ushtarak, dhënë të hënën në emisionin “Hannity”.

Bondi tha se Maduro dhe të pandehurit e tjerë mund të përballen me akuza edhe në juridiksione të tjera.

“Asgjë nuk është jashtë tryezës,” i tha Bondi moderatorit të Fox News, Sean Hannity. “Këta njerëz duhet të mbeten pas hekurave. Ata janë përgjegjës për humbjen e kaq shumë jetëve dhe nuk janë tregtarë droge të nivelit të rrugës. Ata janë narko-trafikantë.”

Të hënën, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e narko-terrorizmit dhe akuza të tjera në një gjykatë federale.

Departamenti i Drejtësisë thotë se Maduro ka siguruar “pasaporta diplomatike venezueliane për trafikantë droge dhe ka lehtësuar mbulimin diplomatik për avionët e përdorur për pastrim parash duke kthyer fitimet e drogës nga Meksika në Venezuelë”.

Një person që pati një shkëmbim të shkurtër fjalësh me Maduron në gjykatën e Manhatanit i tha Fox News se diktatori e shpalli veten “rob lufte” dhe e krahasoi veten me Jezusin.

“Unë jam i pafajshëm, nuk jam fajtor,” i tha Maduro gjykatës. “Jam një njeri i ndershëm. Unë jam ende president i vendit tim”.

Disa demokratë e kanë kritikuar operacionin ushtarak si shkelje të sovranitetit shtetëror, duke e krahasuar me veprimet e ish-presidentit George W. Bush në Irak.

Ndërkohë, Bondi këmbënguli se operacioni “Absolute Resolve” ishte plotësisht brenda autoritetit kushtetues të Presidentit Donald Trump, duke iu përgjigjur kritikëve.

“Ishte një zbatim i ligjit për arrestimin e individëve të paditur,” shpjegoi Bondi. “Ushtria jonë realizoi një ekzekutim të përsosur, absolutisht të përsosur”.

Ajo theksoi gjithashtu se operacioni i fshehtë i së shtunës “shpëtoi jetë të panumërta”.

“Presidenti shpëtoi jetë të panumërta,” tha Bondi.

“Por ai gjithashtu mbrojti amerikanët nga anëtarët e TDA-së [Tren de Aragua] që Maduro i lejoi të hynin në vendin tonë, që u detyruan të hynin në vendin tonë”.

Prokurorja e Përgjithshme përmendi disa viktima të vrasjeve nga anëtarë të bandave venezueliane, përfshirë Laken Riley, 22 vjeçe, dhe Jocelyn Nungaray, 12 vjeçe.

“Kjo është e tmerrshme dhe do të ndalet,” u zotua ajo.

Ndërsa Trump ka thënë se SHBA-ja do ta “administrojë përkohësisht” Venezuelën, aleatët e Maduros në qeveri e kanë kundërshtuar këtë pretendim.

Diktatori venezuelian dhe bashkëshortja e tij pritet të paraqiten sërish në gjykatë më 17 mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco