Kapja e Maduros nuk ka lidhje me naftën

Kapja e Maduros nuk ka lidhje me naftën

10:12, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Doug Stokes, SPECTATOR

Pamja e Nicolás Maduro-s në paraburgimin amerikan ka ringjallur në mënyrë të pashmangshme fantazmat e së kaluarës të politikës së jashtme. Për vëzhguesin instinktivisht cinik, narrativa shkruhet vetë: një Shtëpi e Bardhë republikane, një sundimtar autoritar latino-amerikan dhe rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Ashtu si në Irak në vitin 2003, slogani i imperializmit amerikan dhe politikës së jashtme “gjak për naftë” qarkulloi në rrjetet sociale pa u ulur ende pluhuri mbi Karakas. “Sulmet e natës kundër Venezuelës”, deklaronte The Guardian, dhe “deklarata neo-imperialiste e Trump-it se SHBA do ta drejtonte vendin dhe do të shiste naftën e tij, kanë goditur edhe një herë tjetër ligjin ndërkombëtar dhe normat globale”.

Kjo është një kritikë e rehatshme, nostalgjike, që rikthen ditët e zhurmshme të vitit 2003. Por është edhe rrezikshëm e gabuar.

Ta shohësh rrëzimin dramatik të regjimit venezuelian si një grabitje burimesh, do të thotë të mos kuptosh ndryshimin themelor në strategjinë e madhe amerikane. Uashingtoni nuk e dekapitoi shtetin venezuelian sepse i duhej më shumë naftë; e bëri sepse po përgatitet për një luftë të mundshme me Kinën.

Teoria e “imperializmit të naftës” bie nën peshën e të dhënave bazë. Shtetet e Bashkuara nuk janë më gjiganti i uritur për energji i fundit të shekullit XX. Vetëm Teksasi sot përbën rreth 43% të prodhimit amerikan të naftës së papërpunuar dhe 31% të kapacitetit të rafinimit. Amerika noton në hidrokarburet e veta. Imperativi strategjik, pra, nuk është marrja e naftës venezueliane — e rëndë, me përmbajtje të lartë squfuri dhe e vështirë për t’u rafinuar — por mbrojtja e infrastrukturës amerikane.

Komplekset gjigante të rafinimit dhe eksportit përgjatë bregut të Gjirit të Meksikës, vena e ekonomisë perëndimore, ndodhen në mënyrë shqetësuese pranë bregdetit venezuelian. Në epokën e raketave hipersonike dhe municioneve endacake, Karaibet nuk janë më një liqen turistik i qetë; ato janë një krah jugor i cenueshëm. Llogaritë në Pentagon janë të drejtpërdrejta dhe plotësisht racionale: distanca nga veriu i Venezuelës deri në Hjuston është rreth 3.300 kilometra; deri te Kanali i Panamasë, as 1.100 kilometra.

Këtu hyn në llogari konkurrenca e fuqive të mëdha me Pekinin. Për dy dekada, ndërsa Uashingtoni ishte i zhytur në moçalin e Lindjes së Mesme, Republika Popullore e Kinës ka blerë në heshtje besnikëri në hemisferën perëndimore. Shifrat janë marramendëse. Në vitin 2024, tregtia mes Kinës dhe Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) arriti në 551 miliardë dollarë. Më konkretisht, Venezuela përbënte rreth 44% të gjithë financimit zhvillimor kinez në rajon që nga viti 2005.

Maduro nuk ishte thjesht një paria socialist; ai ishte një qiradhënës strategjik. Ai i ofroi Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) një pikë mbështetjeje në oborrin e pasmë të Amerikës. Skenari i makthit për planifikuesit amerikanë nuk ishte kurrë një Venezuelë socialiste, por një Venezuelë e militarizuar — një postë në Karaibe që strehon kapacitetet kineze të inteligjencës, bombardues me rreze të gjatë apo bateri raketore. Nëse socializmi do të ishte kërcënimi, pse të goditej Venezuela dhe jo Kuba?

Ky ankth lidhet ngushtë me të ardhmen e Tajvanit. Planifikuesit amerikanë të luftës e kuptojnë se një konflikt në Detin e Kinës Jugore nuk do të mbetej lokal. Nëse Marina amerikane përpiqet të bllokojë Ngushticën e Malakës ose të mbrojë Taipein, kundërpërgjigjja e Pekinit do të ishte kërcënimi ndaj territorit amerikan ose ndaj linjave të tij logjistike për të detyruar një zgjidhje të negociuar. Një Venezuelë armiqësore, e pajisur me sisteme armatimi kineze, mund ta mbante peng bregun e Gjirit të Meksikës, duke frenuar fuqinë amerikane përpara se një grup aeroplanmbajtësish të largohej nga porti.

Për më tepër, logjistika e një lufte në Paqësor varet shumë nga Kanali i Panamasë. Prania komerciale e firmave kineze në Panama e ka shqetësuar prej kohësh Uashingtonin. Me entitete të ndryshme me bazë në Hong Kong që kanë interesa në porte në të dy skajet e kanalit (Balboa dhe Cristóbal), rreziku i mbylljes së tij gjatë një krize nuk është zero. Nëse kanali mbyllet, Marina amerikane detyrohet të bëjë rrugën e gjatë rreth Ngushticës së Magelanit. Duke larguar Maduron, SHBA thyen në praktikë krahun verior të një lëvizjeje potenciale shtrënguese kineze në Karaibe.

Operacioni, i paraqitur zyrtarisht si një veprim i zbatimit të ligjit kundër “narko-terrorizmit”, shërben për dy qëllime. Aktakuza që përshkruan 25 vite trafik shtetëror kokaine ofroi veshjen ligjore, por koha e ndërhyrjes zbulon synimin gjeopolitik. Ky është zbatimi i një Doktrine Monroe të re, më muskulare. Ai sinjalizon një tërheqje nga roli i “Policit Global” dhe një kthesë drejt “Kështjellës Rajonale”. Administrata Trump ka sinjalizuar se mund të tolerojë kaos në Donbas apo në Levant, por nuk do të tolerojë që një rival i barabartë të krijojë një bazë operacionale përpara në Amerikë.

Rënia e Maduros është gjithashtu një goditje i fortë për Kremlinin, ndonëse më pak i dëmshëm strategjikisht për Moskën sesa për Pekinin. Ndërsa Rusia humbet një platformë për projektimin e fuqisë së saj dhe një aleat retorik që legjitimonte autoritarizmin e Putinit, është Kina ajo që pëson humbjen materiale. Investimi i gjatë, i shtrenjtë dhe i duruar i ndikimit nga Pekini u shua brenda një nate.

Në fund, ata që kërkojnë logjikën e kësaj ndërhyrjeje në bilancet e ExxonMobil po shohin në vendin e gabuar. Kjo nuk kishte të bënte me fitimet korporative. Kishte të bënte me shah-matin e madh të shekullit XXI. Kapja e Maduro-s ishte një lëvizje përgatitore, një pastrim i fushës përpara një loje shumë më të gjatë të konkurrencës mes fuqive të mëdha. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur se, nëse duhet të përballen me dragoin në Paqësor, nuk do ta lejojnë që ai t’u fryjë në qafë nga Karaibet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco