Presidenti venezuelan Nicolás Maduro thuhet se nga sot përballet me drejtësinë ndërkombëtare për krime të rënda të kryera ndaj qytetarëve të Venezuelës dhe shtetasve të vendeve të tjera. Opozita venezuelane deklaron se refuzimi i një zgjidhjeje të negociuar ka çuar në zbatimin e ligjit nga ana e Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë moment si fillimin e një epoke të re për vendin.
Sipas deklaratës së publikuar nga përfaqësues të opozitës, ka ardhur koha që Sovraniteti Popullor dhe Sovraniteti Kombëtar të rikthehen dhe të sundojnë në Venezuelë. Ata theksojnë se synimi kryesor është rivendosja e rendit kushtetues, lirimi i të burgosurve politikë dhe ndërtimi i një shteti demokratik, që do të mundësojë rikthimin e miliona venezuelanëve të larguar nga vendi.
“Ora e drejtësisë ka mbërritur. Pas vitesh përpjekjesh, sakrificash dhe rezistence, ajo që duhej të ndodhte, po ndodh,” thuhet në mesazhin drejtuar qytetarëve.
Opozita e konsideron këtë moment si “kohën e qytetarëve”, duke iu referuar pjesëmarrjes masive në proceset demokratike dhe zgjedhjes së Edmundo González Urrutia si Presidenti legjitim i Venezuelës. Sipas deklaratës, ai duhet të marrë menjëherë detyrën e tij kushtetuese dhe të njihet si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Kombëtare nga të gjitha strukturat ushtarake.
Po ashtu, bëhet thirrje për vigjilencë, organizim dhe mobilizim të vazhdueshëm deri në realizimin e plotë të Tranzicionit Demokratik, i cili konsiderohet i domosdoshëm për të gjithë shoqërinë venezuelane.
Venezuelanëve brenda vendit u kërkohet të përgatiten për udhëzime të mëtejshme që do të komunikohen përmes kanaleve zyrtare, ndërsa diasporës i bëhet thirrje të mobilizojë qeveritë dhe opinionin ndërkombëtar për të mbështetur procesin e rindërtimit të Venezuelës së re.
Në përfundim, mesazhi shoqërohet me një thirrje për unitet, besim dhe shpresë, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment vendimtar të historisë së tij.
“Venezuela do të jetë e lirë,” përfundon deklarata, duke nënvizuar besimin se tranzicioni drejt demokracisë është tashmë i pandalshëm.
Letra e Maria Corina Machado:
Nicolás Maduro nga sot përballet me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e tmerrshme të kryera ndaj venezuelanëve dhe qytetarëve të shumë shteteve të tjera. Për shkak të refuzimit të tij për të pranuar një zgjidhje të negociuar, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka përmbushur premtimin e saj për të zbatuar ligjin.
Ka ardhur koha që Sovraniteti Popullor dhe Sovraniteti Kombëtar të sundojnë në vendin tonë. Do të vendosim rendin, do të lirojmë të burgosurit politikë, do të ndërtojmë një vend të jashtëzakonshëm dhe do të sjellim fëmijët tanë përsëri në shtëpi.
Kemi luftuar për vite me radhë, kemi dhënë gjithçka, dhe ia ka vlejtur. Ajo që duhej të ndodhte, po ndodh.
Kjo është koha e qytetarëve. Ata që rrezikuam gjithçka për demokracinë më 28 korrik. Ata që zgjedhim Edmundo González Urrutia si Presidentin legjitim të Venezuelës, i cili duhet të marrë menjëherë detyrën e tij kushtetuese dhe të njihet si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Kombëtare nga të gjithë oficerët dhe ushtarët që i përkasin.
Sot jemi të përgatitur për të zbatuar mandatet tona dhe për të marrë pushtetin. Të qëndrojmë vigjilentë, aktivë dhe të organizuar deri sa të realizohet Transicioni Demokratik. Një tranzicion që na nevojitet TË GJITHËVE.
Për venezuelanët që janë brenda vendit tonë, përgatituni të nisni atë që shumë shpejt do t’ju komunikojmë përmes kanaleve tona zyrtare.
Për venezuelanët që janë jashtë vendit, na nevojiten të mobilizuar, duke aktivizuar qeveritë dhe qytetarët e botës dhe duke i angazhuar që tani në operacionin e madh për ndërtimin e Venezuelës së re.
Në këto orë vendimtare, pranoni gjithë forcën, besimin dhe dashurinë time. Të gjithë mbetemi vigjilentë dhe në kontakt.
VENEZUELA DO TË JETË E LIRË!
Ecim dorë për dore me Zotin, deri në fund.
© SYRI.net