CNN
Administrata Trump ka deklaruar prej vitesh se presidenti venezuelas, Nicolás Maduro, është një kriminel dhe ka synuar ta ndjekë penalisht përmes sistemit ligjor amerikan.
Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Maduro u padit në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për “narko-terrorizëm”, komplot për importimin e kokainës dhe akuza të tjera të lidhura me këtë veprimtari.
Administrata Trump vendosi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit venezuelian. Ky shpërblim u rrit në 25 milionë dollarë në ditët e fundit të administratës Biden, në fillim të janarit 2025, dhe më pas u rrit në 50 milionë dollarë në gusht 2025, pasi Trump mori detyrën për një mandat të dytë dhe e shpalli ‘Cartel de los Soles’ si organizatë terroriste të huaj.
Administrata amerikane ka pretenduar se Maduro është udhëheqësi i këtij grupi, të cilin e përshkruan si një organizatë kriminale.
“Ky pretendim, kjo akuzë se regjimi i Maduro-s është një organizatë narko-terroriste nuk bazohet në retorikë politike apo spekulime. Ajo bazohet në prova të paraqitura para një jurie të madhe në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, e cila ka ngritur aktakuzë,” deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.
Trump shkroi në një postim në rrjetet sociale herët të shtunën se Maduro ishte kapur “në bashkëpunim me forcat ligjzbatuese të SHBA-së” dhe premtoi se detaje të tjera do të jepeshin më vonë gjatë ditës.
Senatori republikan amerikan, Mike Lee, nga Utah tha se kishte folur me Rubion të shtunën në mëngjes dhe se diplomati i lartë amerikan i kishte konfirmuar se: “Nicolás Maduro është arrestuar nga personel amerikan për t’u përballur me gjyq në Shtetet e Bashkuara për akuza penale, dhe se veprimi ushtarak që pamë mbrëmë u ndërmor për të mbrojtur dhe siguruar ata që po ekzekutonin urdhrin e arrestimit”.
Zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau shkroi në platformën X se operacioni i administratës solli “një agim të ri për Venezuelën”
“Tirani është larguar. Ai më në fund do të përballet me drejtësinë për krimet e tij,” shkroi Landau.
© SYRI.net