Nga Michael Engelberg, BILD
Pas tragjedisë së tmerrshme nga zjarri në barin “Le Constellation”, mbizotëron zemërimi, dhimbja dhe mosbesimi.
40 persona humbën jetën nga zjarri shkatërrues në Zvicër. 119 të tjerë u plagosën, shumica rëndë. Shumë nga viktimat nuk janë identifikuar ende, sepse trupat e tyre u dogjën deri në pikën e mosnjohjes.
Si mund të ndodhte kjo katastrofë e pamëshirshme në natën e Vitit të Ri?
Eksperti i zjarreve, Thomas Knecht, shpjegon pse çdo sekondë ishte vendimtare.
Policia dyshon se fontana e fishekzjarreve i vuri flakën tavanit të bodrumit, i cili ishte i veshur me shkumë poliuretani në formë piramide. Ky ishte fillimi i një reaksioni fatal zinxhir, që përfundoi në atë që quhet “flashover” (përfshirje e menjëhershme nga flakët).
Sipas Knecht, në fillim hapësira mbushet me gazra toksikë.
Vetëm tymi nga një kilogram shkumë do të mjaftonte për të mbushur disa apartamente me gaz vdekjeprurës. Edhe pranë dyshemesë, shpesh nuk ka më ajër të pastër.
Një fotografi (e publikuar në rrjete sociale) thuhet se tregon momentin e shpërthimit të katastrofës: persona duke festuar, mbajnë shishe shampanje lart, me fishekzjarre të lidhura në to – ndërsa në tavan fillon të digjet zjarri, pa u vënë re.
Pastaj shtohet edhe nxehtësia ekstreme.
Kur arrihet një raport i caktuar mes gazeve dhe temperaturës, flakët përfshijnë të gjithë ambientin brenda një çasti, si një valë.
Eksperti shpjegon: “Kur ndodh përfshirja e plotë (flashover), temperaturat arrijnë 800 deri në 1000 gradë, ndonjëherë edhe më shumë”.
Dëshmitarët flasin për vetëm një dalje.
Knecht dyshon se realisht ishte e autorizuar vetëm një rrugë shpëtimi – sepse një bodrum me vetëm një dalje do të ishte pothuajse i palejueshëm nga ana ligjore.
Megjithatë, mundet që një dalje e dytë të ketë qenë e bllokuar nga flakët.
E sigurt është se në bodrum tymi duhej të kalonte shkallët për t’u ngjitur lart.
Në video shihen njerëz të shtrirë përtokë, që zvarriten mbi njëri-tjetrin.
U krijua një bllokim tragjik, si në një hinkë. Shumë persona duket se humbën ndjenjat nga tymi gjatë përpjekjes për t’u larguar dhe kështu bllokuan rrugën e shpëtimit për të tjerët.
Një varg rrethanash fatale – dhe një tragjedi, shkaqet e së cilës tani po zbardhen hap pas hapi.
Knecht përfundon: “Një ngjarje ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, por fatkeqësisht jo plotësisht e parandalueshme. Sigurisht që rreziqet mund të minimizohen, por kurrë të përjashtohen plotësisht”.
© SYRI.net