Nga Nigel Jones, SPECTATOR
Lufta e padeklaruar e Donald Trump ndaj Venezuelës, kundër regjimit marksist të presidentit Nicolás Maduro, shpërtheu hapur. Këtë mëngjes, presidenti Trump urdhëroi sulme ndaj objektivave brenda Venezuelës, përfshirë baza ushtarake. Janë dëgjuar shpërthime, ndërsa tymi ngrihej mbi kryeqytetin Karakas.
Qeveria venezuelase deklaroi se “e refuzon, e dënon dhe e denoncon para komunitetit ndërkombëtar agresionin ushtarak jashtëzakonisht serioz të kryer nga qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër territorit venezuelas”. Por këto fjalë nuk pritet ta ndalin Trump në vazhdimin e fushatës së tij ushtarake.
Prej disa muajsh, Trump ka urdhëruar sulme ndaj anijeve të trafikantëve, të cilat sipas tij po dërgojnë drogë drejt SHBA-së. Këto sulme kanë marrë më shumë se 100 jetë në det që nga shtatori. Javën e kaluar, CIA goditi një zonë ankorimi brenda Venezuelës, e cila dyshohej se përdorej nga trafikantët. Ky ishte veprimi i parë i drejtpërdrejtë amerikan në tokën venezuelase gjatë presidencës së Trump. Sulmet e sotme duket se tregojnë një përshkallëzim të fushatës.
Pse Trump është kaq i vendosur ta rrëzojë Maduron nga pushteti? Një arsye është se ai e fajëson presidentin venezuelas për shkatërrimin e komuniteteve amerikane. Trump thotë se Maduro ka përmbytur qytetet amerikane me emigrantë të paligjshëm dhe i ka furnizuar ato me drogë si kokainë dhe fentanil, duke dëmtuar strukturën shoqërore dhe rritur kriminalitetin.
Presidenti amerikan mund të jetë gjithashtu i interesuar për rezervat e pashfrytëzuara të naftës së Venezuelës. Të vlerësuara rreth 300 miliardë fuçi, rezervat venezuelase janë më të mëdha se ato të Arabisë Saudite. Së fundmi, SHBA-ja konfiskoi dy cisterna venezuelase, të cilat Trump i akuzoi se po eksportonin naftë në kundërshtim me sanksionet amerikane.
Pavarësisht se është në kolaps ekonomik, Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë. Nën sundimin socialist të Maduros – dhe paraardhësit të tij karizmatik Hugo Chávez, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2013 – vendi është zhytur në varfëri ekstreme dhe papunësi masive. Parashikohet që inflacioni të arrijë 548%, dhe më shumë se tetë milionë njerëz, rreth një e treta e popullsisë, kanë ikur jashtë vendit, duke marrë rrugë të rrezikshme drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera të Amerikës së Jugut. Ky eksod ka nxitur trazira shoqërore.
Së fundmi, Uashingtoni është ideologjikisht kundër Maduros, të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë akuzuar për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Liderja kryesore e opozitës, María Corina Machado, e cila jetonte në fshehtësi nga frika e arrestimit pas zgjedhjeve, fitoi Çmimin Nobel për Paqen në nëntor për “rezistencën e saj paqësore ndaj represionit”. Ajo e mbështet hapur fushatën e Trump kundër Maduron.
Përplasja aktuale është konflikti më serioz mes SHBA-së dhe një fqinji latino-amerikan që nga përpjekja e gjatë, por e pasuksesshme, për rrëzimin e diktaturës komuniste të Kastros në Kubë në vitet 1960. Presidenti Trump njihet për kundërshtimin e tij ndaj “luftërave të pafundme” jashtë vendit, por në rastin e Venezuelës duket se është gati të bëjë një përjashtim.
© SYRI.net