BILD
Në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, natën duke u gdhirë e shtuna (me orën lokale) janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme. Banorët raportuan për avionë që fluturonin shumë ulët dhe të paktën shtatë shpërthime. Pjesa jugore e Karakasit, pranë një baze të madhe ushtarake, sipas raportimeve, ka mbetur pa energji elektrike.
Siç raportoi një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP, shpërthimet e para ndodhën rreth orës 02:00 (07:00 me orën e Evropës Qendrore). Rreth orës 02:15 zhurma vazhdonte ende, ndërsa në 02:38 u ndje një tjetër shpërthim në Karakas.
Në rrjetet sociale u publikuan imazhe të zjarreve të mëdha me shtëllunga tymi, megjithatë nuk ishte e mundur të përcaktohej saktësisht vendndodhja e pamjeve. Shpërthimet duket se kanë ndodhur në jug dhe lindje të kryeqytetit venezuelas.
Pas shpërthimeve, shumë banorë të Karakasit dolën në rrugë, të frikësuar.
Një nga fotografitë, e publikuar nga portali venezuelas NTN, pretendohet se tregon një nga shpërthimet.
Pak më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte folur për mundësinë e sulmeve amerikane ndaj territorit venezuelas, pas sulmeve të përsëritura të SHBA-së pranë brigjeve të Venezuelës.
Qeveria venezuelase fillimisht nuk reagoi, ashtu si edhe Departamenti Amerikan i Luftës, i cili po ashtu nuk dha asnjë deklaratë.
Lufta e Trump kundër karteleve të drogës
Që nga shtatori, forcat e armatosura amerikane kanë sulmuar vazhdimisht anije të dyshuara të trafikantëve të drogës në Paqësorin Lindor dhe në Karaibe. Si pasojë e këtyre sulmeve, deri tani janë vrarë më shumë se 100 persona. Kritikët i cilësojnë këto veprime si ekzekutime jashtëgjyqësore dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara akuzojnë Venezuelën se nxit aktivisht trafikun e drogës drejt SHBA-së, duke rrezikuar sigurinë e vendit dhe të qytetarëve amerikanë. Nga ana tjetër, presidenti venezuelas, Nicolás Maduro, dyshon se SHBA synon rrëzimin e tij dhe përvetësimin e rezervave gjigante të naftës së Venezuelës.
Pak para ndërrimit të vitit, Trump kishte folur për një goditje në zonën portuale të Venezuelës. Nga rezidenca e tij luksoze Mar-a-Lago (Florida), ai deklaroi: “Pati një shpërthim të madh në zonën e portit.”
Sipas tij, në një depo po ngarkoheshin anije me drogë, që shërbenin si pikë tranziti për kartelet.
Maduro ndryshon tonin
Diktatori venezuelas, Nicolás Maduro, nën presionin e sulmeve të së premtes, deklaroi në një intervistë: “Është e qartë se ata po përpiqen të imponohen përmes kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës.”
Më pas shtoi se kishte ardhur koha që të dy vendet të flasin seriozisht mes tyre, “mbi bazën e fakteve konkrete”.

© SYRI.net