Fishekzjarrët në shishet e shampanjës dyshohet se shkaktuan zjarrin vdekjeprurës në barin në Crans-Montana

Fishekzjarrët në shishet e shampanjës dyshohet se shkaktuan zjarrin vdekjeprurës në barin në Crans-Montana

23:23, 02/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Autoritetet zvicerane thanë se zjarri që shpërtheu në një bar në vendpushimin e skive Crans-Montana gjatë orëve të para të Vitit të Ri mund të ketë nisur nga fishekzjarrët e vendosur mbi shishet e shampanjës, të cilat ishin shumë afër tavanit.

Si pasojë e flakëve, 40 persona humbën jetën, ndërsa 119 të tjerë u plagosën.

Prokurorja e Përgjithshme e Valais, Beatrice Pilloud, tha në një konferencë për shtyp se hetimi do të fokusohet te materialet e përdorura në lokal, masat e sigurisë kundër zjarrit, kapaciteti i barit dhe numri i njerëzve brenda në momentin e ngjarjes. Ajo shtoi se hetimi do të vendosë nëse do të ketë ndjekje penale.

“Çdo gjë tregon se zjarri ka nisur nga qirinj ose fishekzjarrë të vendosur mbi shishet e shampanjës, shumë afër tavanit. Nga kjo lindi një flakë që u përhap shumë shpejt,” tha Pilloud.

Një nga pronarët e barit deklaroi për mediat lokale se lokali ishte inspektuar tre herë gjatë 10 viteve të fundit dhe gjithçka ishte sipas rregulloreve.

Autoritetet ende po punojnë për identifikimin e 40 viktimave, ndërsa shumë prej të plagosurve mbeten në gjendje kritike.

Presidenti i rajonit Valais, Mathias Reynard, tha se disa prej tyre do të transferohen në qendra specializuar për djegie të rënda në vende të tjera evropiane.

Mes të plagosurve është edhe futbollisti francez 19-vjeçar Tahirys Dos Santos, i cili pësoi djegie të rënda dhe u transportua me helikopter në Gjermani për trajtim.

Familjet e të zhdukurve po presin me padurim lajme nga autoritetet. Midis tyre është edhe shtetasi italian 16-vjeçar Achille Barosi, i cili hyri në bar për të marrë xhaketën dhe telefonin e tij dhe nuk është parë që atëherë.

Image

Autoritetet përdorin procesin e quajtur “Identifikimi i Viktimave të Fatkeqësive”, ku ekipe mjeko-ligjore, dentistësh dhe hetuesish mbledhin të dhëna për të identifikuar viktimat. Hetimi po shqyrton gjithashtu nëse tavani i barit dhe instalimet e tij, përfshirë shkumën, ishin në përputhje me rregulloret e ndërtimit dhe nëse ishin vendosur me autorizim.

Dy menaxherët francez të barit dhe persona që shpëtuan nga zjarri janë intervistuar, ndërsa autoritetet po krijojnë një listë të atyre që ndodheshin në lokal gjatë incidentit.

Dëshmitarë thanë se kishte më shumë se një dalje emergjence, por nuk është e qartë nëse ato ishin të hapura gjatë incidentit.

Le Constellation ishte një bar i madh që mund të mbante deri në 300 persona dhe kishte edhe një tarracë të vogël.

Të premten, familjarë të viktimave dhe adoleshentë të tronditur u mblodhën pranë vendit, duke vendosur lule, qirinj dhe mesazhe për viktimat. Një ceremoni për nder të viktimave do të mbahet më 9 janar në Crans-Montana për të shënuar një moment zie kombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco