Izraeli ka njohur zyrtarisht Somalilandin si “shtet të pavarur dhe sovran”, duke u bërë vendi i parë në botë që ndërmerr këtë hap ndaj republikës së vetëshpallur e cila është shkëputur nga Somalia. Këtë e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit Benyamin Netanyahu.
“Kryeministri ka shpallur sot njohjen zyrtare të Republikës së Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut. “Netanyahu, shefi i diplomacisë së tij (Gideon Saar) dhe presidenti i Republikës së Somalilandit kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët dhe reciproke”, sipas komunikatës, citon IlSole24ore.
Presidenti i Komisionit të Unionit Afrikan, Mahmoud Ali Youssouf, ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit lidhur me Somalilandin dhe ka “refuzuar me vendosmëri çdo nismë apo veprim që synon ta njohë Somalilandin si entitet të pavarur, duke kujtuar se Somaliland mbetet pjesë integrale e Republikës Federale të Somalisë”.
Në faqen zyrtare të Unionit Afrikan thuhet: “Çdo përpjekje për të minuar unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë bie ndesh me parimet themelore të Unionit Afrikan dhe rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm me pasoja të gjera për paqen dhe stabilitetin në të gjithë kontinentin”.
Ministria e Jashtme e Somalisë ka denoncuar “sulmin e qëllimshëm” të Izraelit ndaj sovranitetit të saj, duke paralajmëruar se njohja e Somalilandit “do të minonte paqen rajonale”. “Veprime të paligjshme të kësaj natyre komprometojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin rajonal, duke përkeqësuar tensionet politike dhe të sigurisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.
Turqia, aleat i ngushtë i Somalisë, ka kritikuar pozicionin e Izraelit që ka njohur territorin separatist të Somalilandit si shtet të pavarur, duke e cilësuar si një “ndërhyrje” në çështjet somaleze. “Kjo nismë e Izraelit, në përputhje me politikën e tij ekspansioniste dhe përpjekjet për të penguar njohjen e një shteti palestinez, përbën një ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Somalisë”, ka deklaruar Ministria e Jashtme turke.
Egjipti iu bashkua Turqisë, Somalisë dhe Xhibutit në dënimin e njohjes së Somalilandit nga Izraeli, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme egjiptiane. Diplomatët e lartë të dy vendeve folën me telefon pas shpalljes së Izraelit, sqaroi ministria. “Ministrat shprehën refuzimin e tyre të plotë dhe dënimin e njohjes izraelite të rajonit të Somalilandit dhe theksuan mbështetjen e tyre të plotë për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë”, thuhet në deklaratë.
Donald Trump kundërshton njohjen e Somalilandit. Në një intervistë për New York Post, presidenti u përgjigj “jo” kur u pyet nëse e njeh atë. Më pas shtoi: “Do ta studiojmë dhe do ta vlerësojmë. Unë studioj shumë gjëra dhe gjithmonë marr vendime të shkëlqyera, që rezultojnë të sakta”. Më pas ai pyet: “Di gjë njeri, çfarë është saktësisht Somaliland?”
© SYRI.net