Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, njoftuan ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve në një deklaratë të përbashkët të shtunën, duke synuar t’i japin fund javëve të tëra përleshjesh të ashpra përgjatë kufirit.
Ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve që nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët armëpushimi.
“Armëpushimi mbulon të gjitha armatimet, sulmet ndaj civilëve, infrastrukturës civile dhe objektivave ushtarake në të gjitha zonat”, thuhet në deklaratë.
Ministrat u takuan në një pikë kontrolli kufitar midis provincës Pailin të Kamboxhias dhe provincës Chanthaburi të Tajlandës, pas diskutimeve përgatitore në një komitet të përbashkët kufitar ditët e fundit.
Sipas deklaratës, të dyja palët kanë rënë dakord të ngrijnë të gjitha lëvizjet e trupave dhe të lejojnë kthimin e civilëve në zonat kufitare. Përleshjet e fundit kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 41 personave dhe kanë zhvendosur pothuajse një milion njerëz.
Armëpushimi hyri në fuqi në mesditë sipas orës lokale (05:00 GMT) dhe pritet të zgjasë 72 orë. Gjatë kësaj periudhe, Tajlanda do të lirojë edhe 18 ushtarë kamboxhianë që po mbahen nga autoritetet tajlandeze.
Deklarata e përbashkët përshkruan masat e “de-eskalimit”, përfshirë ndërprerjen e sulmeve ndaj civilëve, objekteve dhe infrastrukturës civile, si dhe shmangien e çdo lëvizjeje të paprovokuar të trupave. “Të dyja palët duhet të shmangin të shtënat, avancimet apo lëvizjet e paprovokuara drejt pozicioneve të palës tjetër,” thuhet në deklaratë.
Lirimi i ushtarëve kamboxhianë do të kryhet “në frymën e Deklaratës së Kuala Lumpurit”, një marrëveshje armëpushimi e nënshkruar në tetor në prani të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Kjo marrëveshje ishte shkelur në fillim të këtij muaji, kur shpërthyen përleshje të reja, për të cilat të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën.
Ushtria tajlandeze tha se trupat e saj iu përgjigjën zjarrit kamboxhian në provincën Ubon Ratchathani, ku u vra një ushtar tajlandez. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi se forcat tajlandeze kishin sulmuar të parat në provincën Preah Vihear dhe këmbënguli se Kamboxhia nuk ishte hakmarrë.
Përleshjet vazhduan gjatë gjithë dhjetorit, ndërsa të premten Tajlanda kreu sulme ajrore në një rajon kufitar të diskutueshëm. Forcat Ajrore Tajlandeze thanë se goditën një “pozicion të fortifikuar ushtarak” kamboxhian pasi civilët ishin larguar, ndërsa Kamboxhia i cilësoi sulmet si “pa dallim” ndaj shtëpive të civilëve.
Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli, por tensionet u përshkallëzuan në maj të këtij viti pas vrasjes të një ushtari kamboxhian. Në korrik, pesë ditë luftime intensive lanë dhjetëra të vdekur dhe mijëra të zhvendosur.
Një armëpushim i mëparshëm, i ndërmjetësuar nga Malajzia dhe SHBA-ja dhe i njohur si “Marrëveshjet e Paqes së Kuala Lumpurit”, u ndërpre në nëntor nga Tajlanda, me arsyetimin se kërcënimi i sigurisë nuk ishte ulur. Armëpushimi i ri shihet si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe rikthimit të stabilitetit në rajon./ BBC - Syri.Net
© SYRI.net