Krijuesi i njohur i lojës “Call of Duty”, Vince Zampella, 55 vjeç, ka humbur jetën në një aksident automobilistik tragjik në një rrugë malore në veri të Los Angeles, së bashku me një pasagjer.
Sipas Patrullës së Autostradave të Kalifornisë (CHP), Zampella po voziste një Ferrari të kuq kur mjeti, për arsye ende të panjohura, doli nga rruga dhe goditi një barrierë betoni.
Automjeti u përfshi menjëherë nga flakët. Autoritetet nuk kanë zbuluar ende detaje mbi shkakun e saktë të aksidentit.
“Për arsye ende të panjohura, automjeti doli nga rruga, goditi një barrierë betoni dhe u përfshi plotësisht nga flakët,” tha CHP në një deklaratë.
Të dy personat në makinë vdiqën nga lëndimet, duke përfshirë pasagjerin që u hodh nga makina gjatë përplasjes.
Dëshmitarët postuan video dhe foto të Ferrarit të shkrumbuar, i cili u pa duke dalë me shpejtësi nga një tunel disa çaste para aksidentit, duke treguar skenën e tmerrshme të ngjarjes.
Vince Zampella ishte një figurë kyçe në industrinë e videolojërave. Ai ishte bashkëkrijues i serisë “Call of Duty”, një nga lojërat më të suksesshme në botë, dhe themeltues i Respawn Entertainment, studio që krijoi tituj të njohur si Titanfall, Apex Legends dhe Star Wars Jedi. Karriera e tij nisi në vitet 1990 dhe ndikimi i tij në industrinë e lojërave është konsideruar revolucionar, sidomos në zhanrin e shkrepjeve të para-personazhit (first-person shooter).
Lajmi i vdekjes së tij ka shkaktuar tronditje në botën e lojërave. Kompania Electronic Arts dhe kolegë të tij e kanë përshkruar humbjen si një tragjedi të madhe, duke nënvizuar ndikimin e jashtëzakonshëm që Zampella pati në industrinë globale.
Hetimet mbi aksidentin vazhdojnë dhe autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shkakun e saktë të daljes nga rruga dhe përplasjes fatale.
© SYRI.net