Indonezia po përballet me pasojat e rrëshqitjeve masive të dheut dhe përmbytjeve të shpejta të shkaktuara nga ciklonet në ishullin e Sumatrës javën e kaluar, ndërsa numri i të vdekurve kaloi 900 të dielën.
Sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore, digash dhe shtëpish banimi janë dëmtuar dhe do të duhet të rindërtohen, tha Presidenti Prabowo Subianto gjatë një vizite në Aceh, një nga tre provincat e prekura nga katastrofa.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNBPB), Suharyanto, tha se numri i të vdekurve ka arritur në 921, me 392 persona ende të zhdukur dhe 975,000 të zhvendosur.
Nga provincat e prekura - Aceh, Sumatra Veriore dhe Sumatra Perëndimore - Aceh është goditur më rëndë me 366 të vdekur, tha Suharyanto.
Qindra fshatra në dy zona të prekura rëndë në Aceh janë ende të izoluara, pasi rrugët janë dëmtuar rëndë.
Kreu i BNPB tha se do të duheshin rreth 51,82 trilionë rupia (3.1 miliardë dollarë) për të rindërtuar shtëpitë dhe objektet publike të dëmtuara në të tre provincat.
Megjithatë, qeveria kombëtare deri më tani ka ngurruar të shpallë një katastrofë kombëtare dhe Prabowo siguroi popullsinë se administrata e tij ka mjete të mjaftueshme për të mbuluar kostot e rindërtimit.
Banorët e zhvendosur janë në rrezik të preken nga diarreja, infeksionet e frymëmarrjes dhe sëmundjet e lëkurës, ndërsa profesionistët e kujdesit shëndetësor mbeten të pakët.
"Na duhen rreth 300 mjekë për të paktën tre muajt e ardhshëm, që të vendosen në zona të izoluara dhe të largëta", tha Ministri i Shëndetësisë Budi Gunadi Sadikin./ DPA News.
© SYRI.net