Izraeli thotë se nuk zbatohen kufizime për forcat izraelite që veprojnë “për të neutralizuar kërcënimet” në Liban.
Lajmi u dha nga ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke përsëritur se forcat do të mbeten brenda zonës territoriale që mbajnë në Libanin jugor, të cilën Izraeli e quan “zonë sigurie”.
“Nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka asnjë kufizim sot që i pengon ushtarët në Liban të veprojnë për të neutralizuar kërcënimet”, tha ministri i mbrojtjes në një deklaratë.
“Izraeli nuk do të tërhiqet nga zona e sigurisë në Liban”, përsëriti ai.
Irani paralajmëroi më parë se asnjë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara nuk është e mundur pa paqe në Liban, përpara se bisedimet me SHBA-në të fillojnë këtë pasdite në Alpet Zvicerane, disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së protokollit midis Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund armiqësive në Lindjen e Mesme.
“Pa zbatimin e këtyre kushteve – veçanërisht klauzolës 1 (e cila parashikon përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin) – nuk është e mundur të hyjmë në fazën e negociatave për një marrëveshje përfundimtare”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, në X.
Marrëveshja e protokollit parashikon një periudhë negociuese 60-ditore mbi programin bërthamor të Teheranit dhe heqjen e sanksioneve kundër Iranit përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare paqeje.
Më parë, zëdhënësi diplomatik iranian kishte thënë se situata në Liban do të ishte tema “kryesore” e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara që fillojnë sot në Zvicër, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Irna.
“Regjimi sionist vazhdon të shkelë angazhimet e tij ndaj Libanit. Kjo do të jetë tema kryesore e bisedimeve të sotme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, duke shtuar se do të diskutohej gjithashtu lirimi i aseteve të Iranit dhe eksportet iraniane të naftës.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi, duke cituar një burim ushtarak, se Ngushtica e Hormuzit mbeti e mbyllur dhe se Marina e Gardës Revolucionare nuk kishte lëshuar leje për kalimin e asnjë anijeje deri në njoftim të mëtejshëm.
Korpusi i Gardës Revolucionare njoftoi dje mbylljen e Hormuzit pasi Teherani akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit të rënë dakord midis SHBA-së dhe Iranit duke vazhduar armiqësitë në Liban dhe SHBA-në për mosrespektim të angazhimit të saj për ta detyruar Izraelin të respektojë armëpushimin.
© SYRI.net