Një grua 80-vjeçare ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike pasi u shpall gabimisht e vdekur dhe u dërgua gjallë në morgun e spitalit ‘White Memorial’, në Los Angeles. Rasti, që ka tronditur opinionin publik, fillon nga momenti kur e moshuara, María de Jesús Arroyo, pësoi arrest kardiak në shtëpinë e saj. Fëmijët e dërguan menjëherë në qendrën mjekësore, ku mjekët certifikuan gabimisht vdekjen e saj.
Trupi i saj u dërgua në morg dhe u vendos në një dhomë të ftohur. Disa ditë më vonë, kur punonjësit po përgatitnin trupin për funeralin, zbuluan pamjen tronditëse: e moshuara gjendej e shtrirë përmbys, me zinxhirin e qeses pjesërisht të hapur, me hundën e thyer dhe plagë në fytyrë. Patologu mjekoligjor, William Manion, i punësuar nga familja, arriti në përfundimin se María de Jesús Arroyo ishte ngrirë e gjallë dhe se, pasi rifitoi ndjenjat në temperaturat ekstreme, u përpoq me dëshpërim të shpëtonte. “Ajo dëmtoi fytyrën dhe u kthye përmbys teksa luftonte kot për të dalë nga varri i saj i ngrirë”, deklaroi ai.
Pas ngjarjes, familja Arroyo paditi spitalin për neglizhencë. Vite më vonë, kur morën raportin e Manion, ata paraqitën një padi të re për vrasje dhe neglizhencë mjekësore. Edhe pse një gjykatë më e ulët e hodhi poshtë çështjen, Gjykata e Apelit e Distriktit të Dytë të Kalifornisë e rihapi atë, duke argumentuar se “paditësit nuk kishin absolutisht asnjë arsye të dyshonin se e ndjera ishte gjallë kur u vendos në morg”.
Spitali White Memorial mohoi çdo shkelje, duke deklaruar se ka vepruar sipas protokolleve të përcaktuara dhe se nuk bie dakord me akuzat. Por për avokatin e familjes, Scott Schutzman, ky ka qenë “makthi më i keq” i tyre. Në deklaratat për Daily Mirror, ai shtoi: “Duhet të jetë tmerruese të përpiqesh të dalësh nga një qese me zinxhir.”
Rasti ngre pyetje serioze mbi mënyrën e certifikimit të vdekjeve në spitale dhe ka rihapur debatin mbi gabimet potencialisht fatale në procedurat mjekësore.
© SYRI.net